Joan Laporta, ka dhënë shpjegimin më të detajuar deri tani për muajt e trazuar që çuan në shkarkimin e Xavi Hernandezit një vit më parë.
Në një intervistë për “Esport3”, ai ka shpalosur kundërthëniet, mesazhet e përziera dhe dilemat që e bindën se ndryshimi në stol ishte i domosdoshëm.
Xavi kishte njoftuar publikisht në janar të vitit 2024 se do të largohej në fund të sezonit, por disa javë më vonë e ndryshoi vendimin. Sipas Laportës, rikthimi i tij erdhi pas një takimi privat në shtëpinë e presidentit.
“Xavi e kishte shpallur vetë se do të largohej në fund të sezonit. Pastaj kërkoi të më takonte në shtëpi për të më thënë se, në të vërtetë, dëshironte të vazhdonte dhe e ndiente të nevojshme këtë”.
Laporta tregon se në atë bisedë i kishte bërë vetëm një pyetje direkte: “E pyeta vetëm një gjë – ‘Xavi, a beson te skuadra?’ Ai u përgjigj: ‘Besoj 100 për qind dhe do t’i bëj këta lojtarë kampionë’”.
Megjithatë, sipas presidentit, ajo bindje u zhduk brenda një jave, kur Xavi doli para mediave dhe deklaroi se ekipit do t’i duheshin dy vite për të qenë konkurrues.
“Dy javë më vonë e dëgjova në konferencë duke thënë se ai dhe skuadra do të kishin nevojë për dy vite për të qenë kompetitivë. Mendova: ‘Çfarë po ndodh këtu?’”
Dyshimet u thelluan edhe më shumë kur Xavi bisedoi me drejtorin sportiv Deco për ndryshime të mëdha në skuadër. Laporta pranon se ato biseda e goditën rëndë.
