Dizajneri i njohur irlandez Paul Costelloe, personal designer i së ndjerës Princeshë Diana dhe një figurë e njohur e London Fashion Week për katër dekada, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, njoftoi familja e tij të shtunën, më 22 nëntor.
Costelloe u emërua dizajner personal i Dianës në vitin 1983, pak pasi themeloi markën e tij Paul Costelloe Collections, dhe bashkëpunimi i tyre vazhdoi deri në vdekjen e princeshës në një aksident automobilistik në Paris më 1997.
Dizajneri zhvillonte të gjitha koleksionet e tij nga studioja e tij në qendër të Londrës dhe mori pjesë në London Fashion Week që nga viti i parë, 1984, duke vazhduar të prezantonte koleksionet e tij deri në muajin e fundit të jetës.
Costelloe lindi në Dublin në vitin 1945 dhe filloi trajnimin aty, më pas u përgatit në Chambre Syndicale de la Haute Couture në Paris dhe më vonë në Milano, ku punoi si dizajner për dyqanin e luksit La Rinascente. Ai kaloi një periudhë në New York për të themeluar markën e tij, përpara se të vendosej në Londër, ku u zhvillua bashkëpunimi me Princeshën Diana.
Gjatë karrierës së tij, koleksionet e tij përfshijnë veshje femrash dhe meshkujsh, çanta, aksesorë shtëpie dhe bizhuteri. Costelloe vdiq qetësisht në Londër, i rrethuar nga gruaja dhe shtatë fëmijët e tij, pas një sëmundjeje të shkurtër.
Zëvendëskryeministri i Irlandës, Simon Harris, e cilësoi jetën e tij si “një histori të jashtëzakonshme suksesi irlandez, ku talenti, disiplinimi dhe përkushtimi i pakompromis ndaj cilësisë krijuan një biznes tejet të suksesshëm.”/mxh
