Last Updated on 18/11/2026 by Monika
Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, që po ndërtohet pranë Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, do të ofrojë hapësira për teatër, muzikë, balet, arte pamore dhe aktivitete të tjera krijuese. Ndërsa vijojnë punimet për përfundimin e kompleksit, Ministria e Kulturës po bashkëpunon me UNICEF për hartimin e një modeli të ri menaxhimi dhe organizimin e programeve artistike e edukative.
Ministri Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me përfaqësuesin e UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, dhe ekipin këshillues të organizatës, gjatë të cilit u prezantua puna për Planin e Menaxhimit të Qendrës.
Sipas Gonxhes, synimi është që qendra të mos shërbejë vetëm si hapësirë për aktivitete kulturore, por të krijojë mundësi të vazhdueshme për pjesëmarrjen e fëmijëve dhe zbulimin e talenteve të reja.
Për këtë qëllim, parashikohet bashkëpunim me shkollat, qendrat kulturore në të gjithë vendin, institucionet artistike dhe profesionistët e artit, si dhe zhvillimi i programeve të reja në disiplina të ndryshme.
Paralelisht me përfundimin e punimeve, mobilimin dhe pajisjen e ambienteve me teknologji audiovizive e skenike, po përgatitet edhe modeli i administrimit të qendrës. Ai do të përfshijë një kalendar publik aktivitetesh, shërbime digjitale, standarde sigurie dhe partneritete për zhvillimin e programeve.
Gonxhja e cilësoi kompleksin si një investim me arkitekturë multifunksionale që, sipas tij, ndërtohet për herë të parë në rajon./mxh
