Last Updated on 24/11/2025 by EL
Shqiptarët vazhdojnë të mbajnë qëndrime dukshëm pro-europiane. Sipas Anketës Vjetore 2025 për Shqipërinë, rreth 92% e qytetarëve të anketuar shprehin se “priren ta besojnë” BE-në, duke e renditur atë bindshëm në krye të listës së institucioneve dhe shteteve të analizuara. Ky nivel besimi është më i larti mes të gjithë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në sondazh.
Të dhënat tregojnë se pas BE-së, niveli më i lartë i besimit i takon NATO-s me 89% dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 88%. Këto përqindje konfirmojnë përputhshmëri të qëndrueshme të opinionit shqiptar me partnerët perëndimorë, si në fushën e sigurisë, ashtu edhe në atë politike.
Kombet e Bashkuara (74%), Mbretëria e Bashkuar (65%), dhe Turqia (69%) gëzojnë nivele të ndryshme besimi, por në asnjë rast nuk afrohen te shifra rekord që arrin BE-ja. Po ashtu një besim të lartë kanë shqiptarët tek Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Në një panoramë ku orientimi perëndimor i shqiptarëve është i padiskutueshëm, tre aktorë lindorë Rusia, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe marrin rezultate tepër të ndryshme në besimin e publikut. Edhe pse Kina është partner i rëndësishëm i tregtisë shqiptare, duke se më shumë se gjysma e shqiptarëve priren mos t’i besojnë këtij shteti. Rreth 39% e shqiptarëve të anketuar thonë se i besojnë, ndërsa 54% nuk i besojnë.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë krijuar prej vitesh profil pozitiv në Shqipëri, sidomos përmes investimeve dhe projekteve të mëdha urbane. Megjithatë sondazhi zbulon një ndarje të fortë opinionit: 48% priren t’i besojnë, ndërsa 45% nuk i besojnë.
Perceptimi më i ulët i besimit regjistrohet për Federatën Ruse, ku vetëm 8% e qytetarëve thonë se “priren ta besojnë” këtë shtet, ndërkohë 83% nuk priren ta bësojnë. Ky është jo vetëm një hendek i madh, por një vlerësim i ashpër që reflekton perceptimin negativ të publikut ndaj agresionit rus në Ukrainë, ndikimit të saj politik dhe kërcënimeve ndaj sigurisë europiane./e.t
