Moti i ditës së martë sjell një rikthim të reshjeve dhe rënie të dukshme të temperaturave në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërsa masat ajrore të ftohta nga veriu ndikojnë kushtet atmosferike.
Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, ditën e sotme priten reshje të herëpashershme shiu, më të dendura në pjesën veriore dhe qendrore të vendit. Rajonet malore mbi 900 metra lartësi mund të kenë reshje të izoluara dëbore, shenjë e afrimit të dimrit.
Temperaturat shënojnë rënie me 3–5°C krahasuar me ditët e fundit, duke u luhatur nga 7°C në orët e para të mëngjesit, deri në 14°C gjatë mesditës në zonat fushore. Në zonat malore, maksimumet nuk pritet të kalojnë 8°C.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht nga veriperëndimi, duke bërë që ndjesia e të ftohtit të jetë edhe më e lartë. Deti paraqitet me dallgëzim 3–4 ballë, duke krijuar vështirësi të lehta për lundrimet.
Sinoptikanët parashikojnë se kushtet e paqëndrueshme do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa fundi i muajit pritet të sjellë ulje të mëtejshme temperaturash dhe reshje më intensive në disa zona./ K.M
