Last Updated on 06/11/2026 by Monika
Gjykata e Dibrës ka caktuar masën e sigurisë për Sadete dhe Gazmir Fikun, të cilët akuzohen për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku.
Dy të akuzuarit, kanë mohuar vrasjen e përkatësisht bashkëshortit dhe babait dhe janë shprehur se 61-vjeçari ka ndërruar jetë për shkak të sulmit nga një ari.
Raportohet se ata janë shprehur para togave të zeza se viktima ishte kthyer në banesë i gjakosur dhe me dëmtime të rënda, pasi ishte sulmuar nga kafsha e egër dhe se sapo ka hyrë në shtëpi kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten në gjoks. Pas ngjarjes, bashkëshortja e tij kishte njoftuar ambulancën.
Ndërkohë, i biri i viktimës, Gazmir Fiku është shprehur se nuk ka qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes së rëndë.
Priten aktet e ekspertimit mjekoligjor nga Policia Shkencore, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut dhe mënyrës së vdekjes së 61-vjeçarit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës. Ngjarja që u raportua fillimisht nga familjarët se Urim Fiku ishte sulmuar dhe kafshuar për vdekje nga një kafshë e egër, u zbardh pas këqyrjes së trupit nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të mbërritur nga Tirana.
Mëngjesin e 4 nëntorit, nënë e bir iu komunikua akuza e “Vrasjes për shkaqe të marrëdhënies familjare” kryer në bashkëpunim ndaj kryefamiljarit Urim Fiku dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.
Fillimisht Urim Fiku është qëlluar pas shpine me një plumb që i ka dalë në gjoks dhe përveç kësaj plage të rëndë të shkaktuar me armë zjarri, ekspertët kanë konstatuar në kokën e viktimës dhe një plagë të madhe në kokë, e cila ishte shkaktuar me një mjet prerës të fortë që dyshohet sëpatë. /mxh
