Zbardhen dhe dokumentohen tre vjedhje në market dhe në dy biznese dhe vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të disa vjedhjeve të tjera, të dyshuara se janë kryer nga ky shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, pas një pune intensive për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të disa vjedhjeve të ndodhura në biznese në zonën e Shijakut, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shumat”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. T., 27 vjeç, banues në Shijak.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të disa rasteve të tjera të vjedhjes që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Në cilësinë e provës materiale, këtij shtetasi i janë sekuestruar rrobat e përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhje”./ K.M
