Kancelari Friedrich Merz zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi pak më herët zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Cornelius.
“Sipas bisedimeve të së dielës në Gjenevë, kancelari dhe presidenti ukrainas diskutuan mbi ecurinë e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë,” deklaroi Cornelius.
Më herët, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se ambiciet e Vladimir Putinit shtrihen përtej Ukrainës.
Starmer u shpreh se drafti fillestar i propozuar nga Shtetet e Bashkuara përmbante pika “të papranueshme”, por edhe “elemente shumë të rëndësishme, të domosdoshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Ai nënvizoi se termat “e drejtë” dhe “e qëndrueshme” mbeten thelbësorë për çdo marrëveshje që synon t’i japë fund luftës.
Duke iu referuar bisedimeve të fundjavës në Gjenevë, Starmer tha se ka pasur “hapa të rëndësishëm përpara” dhe se SHBA-të dhe Ukraina kanë avancuar drejt një kornize të përditësuar paqeje. “Mund t’i siguroj deputetët se puna për finalizimin e planit po vazhdon,” shtoi ai.
Kushtet e Mbretërisë së Bashkuar për një paqe të qëndrueshme
Sipas kryeministrit britanik, një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse plotësohen këto kushte:
Ruajtja e sovranitetit të Ukrainës.
Garancia që Ukraina të mbrohet në të ardhmen.
Çështjet që lidhen me Ukrainën të vendosen nga vetë Ukraina.
Çështjet që kanë të bëjnë me Europën dhe NATO-n të kërkojnë konsensusin e anëtarëve europianë dhe atyre të NATO-s.
Starmer paralajmëroi se “rruga përpara është e gjatë dhe e vështirë”, por siguroi se qeveria britanike është “më e përkushtuar se kurrë” për arritjen e paqes. E.T.
