Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur gjerësisht për sukseset e futbollit shqiptar, finalen e Super Viareggio Cup dhe rolin gjithnjë e më të madh që Tirana ka marrë në hartën sportive ndërkombëtare. Në një intervistë me Fulvio Collovati, ai ka vënë në pah se rezultatet e arritura nga Kombëtarja dhe futbolli i të rinjve nuk janë rastësi, por fryt i një pune të gjatë, të organizuar dhe të mbështetur në shumë drejtime.
Duka komentoi finalen e 4 dhjetorit mes Vllaznisë dhe Genoa-s, të cilën e cilësoi si një ngjarje që shkon përtej futbollit: një urë miqësie, bashkëpunimi dhe vëllazërie mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas tij, suksesi i futbollit shqiptar lidhet ngushtë me investimet në infrastrukturë, zhvillimin e talenteve të rinj dhe mbështetjen e pandërprerë të tifozëve.
“Rezultatet nuk kanë ardhur rastësisht. Janë fryt i punës së lojtarëve, stafit teknik, Federatës, por edhe një mbështetje të madhe nga qeveria dhe tifozët që e duan Kombëtaren”, theksoi presidenti i FSHF-së, duke nënvizuar se pasioni kolektiv për futbollin është një nga shtyllat më të forta të këtij progresi.
Në lidhje me turneun “Eagle Cup” dhe finalen e Superkupës së Viareggio-s, Duka u shpreh i lumtur për rolin që të rinjtë po marrin në arenën ndërkombëtare. Ai vuri theksin te fakti që këto ndeshje nuk janë thjesht kompeticione sportive, por një mundësi edukimi, shkëmbimi kulturor dhe rritjeje profesionale për lojtarët e rinj.
Një tjetër pikë kyçe e intervistës ishte roli i Tiranës, që sipas Dukës, është kthyer realisht në “shtëpinë e futbollit”. Qendra moderne e ndërtuar në kryeqytet ka hapur dyert për turne të shumtë ndërkombëtarë, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë referimi për futbollin e të rinjve.
“Tirana është bërë një vend mikpritës, ku të rinjtë jo vetëm luajnë futboll, por krijojnë miqësi dhe mësojnë njëri-tjetrin. Kjo është forca jonë”, u shpreh ai.
Finalja e 4 dhjetorit, sipas Dukës, pritet të jetë një festë e vërtetë për futbollin, një ndeshje simbolike që bashkon traditën italiane dhe ambicien shqiptare, duke treguar se futbolli i të rinjve mbetet investimi më i çmuar për të ardhmen./mxh
