Aeroplanët luftarakë gjermanë dhe rumunë u ngritën në ajër më 25 nëntor për të gjurmuar incidentin më të fundit në një seri inkursionesh të dronëve në hapësirën ajrore të Rumanisë, teksa Rusia vazhdon të sulmojë objektiva përtej lumit Danub, në Ukrainën fqinje.
Dy dronë hynë në hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s dhe gjashtë u raportuan në Moldavi, ku një ra në çatinë e një ndërtese, por nuk shpërtheu. Këto vijnë pas incidentit të javës së kaluar kur një dron rus goditi një cisternë turke me gaz të lëngshëm natyror që ishte duke lundruar në pjesën ukrainase të lumit.
“Ne disi e shohim veten si pjesë të luftës”, tha për Shërbimin rumun të Radios Evropa e Lirë, Tudor Cernega, kryetar i fshatit Ceatalchioi. “Nëse do të shpërthente anija, i gjithë fshati do të zhdukej”.
Banorët e fshatit dhe vendbanimit të afërt Plauru, i cili gjithashtu bie nën administrimin e tij, u evakuuan përkohësisht pas shpërthimit dhe zjarrit që pasoi.
“Njerëzit nuk po vijnë më të vizitojnë të afërmit e tyre. Janë shumë të frikësuar. Ata e kanë kuptuar rrezikun: sikur një dron të kishte rënë mbi një shtëpi – Zoti na ruajt – do të kishte vrarë një ose dy persona”, tha Cernega.
Koha për evakuim?
Një banore tha se familja e saj po e shqyrton mundësinë që të zhvendoset përgjithmonë që aty nëse situata përkeqësohet.
“Nëse bombardimet përshkallëzohen, besoj se ne mund të largohemi”, tha Daniela Tanase, 48-vjeçare.
“Ka pasur bomba këtu, para shtëpisë sonë”.
Tanase tha se situata është më së keqi natën, duke përshkruar se sheh projektorë ukrainase që kontrollojnë qiellin për dronë gjatë natës kur lëshohen alarmet për sulme.
Një tjetër banor, mekaniku i pensionuar 73-vjeçar Gheorghe Puflea, tha se nuk mund të fle pasi zgjohet nga dronët.
“Mund të largohem në çdo moment, por çfarë të bëj me kafshët? T’i lë këtu?”, pyeti ai, teksa po u ushqente pulat e tij. Ai po ashtu ka derra, një kalë, një ka dhe një qen./kb
