Last Updated on 20/11/2026 by Monika
Franca ka thirrur sot Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas sulmeve masive me raketa të Rusisë ndaj Ukrainës, të cilat shkaktuan viktima civile në Kiev dhe dëmtuan edhe selitë diplomatike të Austrisë dhe Holandës.
Njoftimi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, përmes një reagimi në rrjetin social X, ku dënoi me forcë sulmet ruse dhe kërkoi që Moska të mbajë përgjegjësi për pasojat e tyre.
“Kremlini ka bombarduar sërish Kievin. Janë vrarë civilë. Ambasadat e Austrisë dhe Holandës janë goditur. Këto janë krime. Franca i dënon me forcën më të madhe”, shkroi Barrot.
Ai njoftoi se i kishte kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mblidhej për të shqyrtuar sulmet, duke theksuar se Rusia duhet të japë llogari për veprimet e saj.
“Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Solidarizohemi me popullin ukrainas dhe me miqtë tanë austriakë dhe holandezë”, shtoi ministri francez.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet ruse gjatë natës shkaktuan tetë viktima. Përveç ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës, u dëmtuan edhe objekte diplomatike në kryeqytetin ukrainas.
Ambasada holandeze pësoi dëmtime të lehta, pasi një predhë ra pranë ndërtesës, ndërsa u godit edhe ambasada austriake.
Pas dëmtimit të ambasadës holandeze, Holanda thirri ambasadorin rus, për t’i shprehur zyrtarisht pakënaqësinë lidhur me incidentin. Edhe autoritetet austriake konfirmuan dëmtimin e selisë së tyre diplomatike në Kiev.
Pse është e rëndësishme thirrja e Këshillit të Sigurimit?
Këshilli i Sigurimit është organi i Kombeve të Bashkuara përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Ai përbëhet nga 15 anëtarë, pesë prej të cilëve janë të përhershëm: SHBA-ja, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe.
Me këtë kërkesë, Franca synon që sulmet ruse të diskutohen në nivelin më të lartë të OKB-së dhe që Moska të përballet me presionin ndërkombëtar për pasojat e tyre, veçanërisht për viktimat civile dhe dëmtimin e objekteve diplomatike.
Megjithatë, një pengesë e rëndësishme për marrjen e vendimeve është e drejta e vetos, që kanë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit. Kjo do të thotë se Rusia mund të bllokojë miratimin e një rezolute thelbësore që nuk e mbështet, edhe nëse ajo merr shumicën e votave.
Kërkesa e Francës vjen në një moment të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj Ukrainës dhe të përpjekjeve diplomatike të vendeve perëndimore, për të rritur presionin ndërkombëtar ndaj Moskës./mxh
