Ndarja e papritur nga jeta e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi ka shkaktuar një tronditje të thellë në botën e muzikës shqiptare. Lajmi i hidhur u përhap me shpejtësi dhe u prit me dhimbje nga kolegë, miq dhe admirues të artistit, të cilët kanë mbushur rrjetet sociale me mesazhe ngushëllimi e kujtimesh.
Vëllai i Shpatit, Albini ka dhënë një intervistë për gazetaren e Top Channel, Ana Kurti, ku është shprehur se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por nuk ka mundur që të mbijetojë. Ai tha se deri tani dyshohet se shkak për ndarjen nga jeta është bërë një arrest kardiak.
I pyetur nëse më parë këngëtari ka pasur probleme shëndetësore, vëllai i Shpatit u shpreh se ai ka pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por jo diçka serioze. Trupi i tij i pajetë ndodhet në Itali, ndërsa në vijim pritet që të kryhen procedurat për të mbërritur pranë familjarëve.
