Nëse i pyesni ukrainasit se kush është figura më e fuqishme në vend pas presidentit, shumë prej tyre do të përmendin Andriy Yermak, shefin e kabinetit të presidentit dhe një nga negociatorët kyç gjatë katër viteve lufte, në një kohë kur ndihma financiare dhe ushtarake perëndimore ka mbajtur Kievin në luftë.
Yermak, mik i ngushtë i Presidentit Volodymyr Zelenskiy dhe krahu i tij i djathtë, është përfshirë në një skandal në zhvillim për korrupsion, pasi agjentët kundër korrupsionit bastisën pronën e tij të premten.
Kontrollet erdhën në një moment tejet të rrezikshëm për Kievin, i cili përballet me presion të madh nga SHBA për të bërë lëshime të mëdha ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës, ndërkohë që Ukraina nuk ka trupa apo armë të mjaftueshme për të zmbrapsur forcat ruse.
I lindur në Kiev, Yermak, sot 54 vjeç , e nisi karrierën si jurist, përpara se të krijonte një kompani mediatike. Ai ka qenë pranë Zelenskiyt shumë përpara pushtimit të plotë rus të vitit 2022.
Dyshja u njohën në fillim të viteve 2010, kur Zelenskiy ishte një yll në rritje i televizionit dhe Yermak po shfaqej si një emër i ri në industrinë ukrainase të medias.
Kur Zelenskiy kandidoi për president në vitin 2019, Yermak ishte pjesë e ekipit të tij dhe më pas konsolidoi pozicionin në krye të administratës presidenciale.
Të premten (28 nëntor) pak dihej për atë që agjentët e anti-korrupsionit po kërkonin në apartamentin e Yermakut. Ai deklaroi se po bashkëpunon plotësisht me hetuesit. Institucionet që urdhëruan bastisjen nuk zbuluan se me çfarë lidhej ajo.
Ukraina është zhytur në një skandal të madh që lidhet me një komplot të dyshuar për kontrollimin e kontratave të agjencisë shtetërore bërthamor, një aferë që përfshin 100 milionë dollarë në përfitime korruptive dhe pastrim parash, në një kohë kur vendi përpiqet të mbrojë infrastrukturën energjetike nga sulmet ajrore ruse.
Shqetësimi në rritje i zyrtarëve amerikanë për akuzat e korrupsionit, të cilat deri tani u kanë kushtuar vendin dy ministrave, ka dobësuar pozicionin e Zelenskiyt pikërisht në momentin kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për besimin e tyre.
Ukraina ndodhet nën presionin e SHBA që të pranojë propozime paqeje, të cilat Rusia kërkon të përfshijnë dorëzimin e territoreve dhe kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase në të ardhmen./mxh
