Last Updated on 07/11/2026 by EL
Trupi i një foshnjeje të porsalindur është gjetur brenda një frigoriferi ngrirës në një dhomë magazinimi të një pallati në Allariz, në provincën Ourense, në veriperëndim të Spanjës. Sipas gazetës lokale “La Región”, trupi mund të ketë qëndruar aty për më shumë se 20 vjet.
Zbulimi u bë të hënën e kaluar nga një grua, e cila po kontrollonte sendet personale të nënës së saj, e cila kishte ndërruar jetë së fundmi. Frigoriferi ndodhej në një ambient magazinimi pranë garazhit të ndërtesës. Kur e hapi, gruaja u përball me trupin e foshnjës.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se foshnja kishte lindur pas një shtatzënie prej 32 deri në 34 javësh dhe dyshohet se kishte marrë frymë pas lindjes. Megjithatë, rrethanat dhe shkaku i vdekjes do të përcaktohen nga autopsia që do të kryhet nga Instituti Galician i Mjekësisë Ligjore.
Hetimet për identitetin dhe rrethanat e vdekjes
Garda Civile ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Deri më tani, hetuesit kanë marrë dëshmi nga disa persona të afërt me ish-pronaren e banesës, ndërsa kanë dërguar mostra të ADN-së në një laborator në Madrid, me qëllim identifikimin e prindërve biologjikë të foshnjës.
Sipas gazetës “La Región”, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vdekja të ketë ndodhur në një tjetër zonë të provincës dhe trupi të jetë transportuar më pas në Allariz, brenda vetë frigoriferit.
Hetimi vijon nën sekretin gjyqësor, me urdhër të gjykatës në Ourense që po shqyrton çështjen. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se kur dhe në çfarë rrethanash ka ndërruar jetë foshnja, si dhe mënyrën se si trupi përfundoi i fshehur në frigorifer.
