Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zhvilloi shortin për përcaktimin e qendrave dhe kutive të votimit që do t’i nënshtrohen verifikimit paszgjedhor. Nga përzgjedhja rastësore rezulton se do të kontrollohen gjithsej 210 kuti votimi.
Verifikimi paszgjedhor kryhet në zbatim të nenit 167/2 të Kodit Zgjedhor, vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të jenë mbyllur. Procesi u zhvillua sipas Urdhrit nr. 153, datë 19.11.2025 dhe udhëzimit të Komisionerit nr. 15, datë 07.10.2021.
Përzgjedhja rastësore përfshiu 5% të qendrave të votimit për çdo KZAZ dhe 5% të kutive të votimit për çdo KAVJ (votim nga jashtë vendit). Në zgjedhjet e 11 majit janë administruar gjithsej 6 184 kuti votimi: 5 225 brenda vendit dhe 959 nga votimi jashtë. Për verifikimin paszgjedhor u përzgjodhën 3 101 kuti brenda vendit dhe 874 kuti nga jashtë.
Nga kutitë e votimit u përjashtuan ato që ishin rinumëruar gjatë shqyrtimit të ankimimeve (2 124 brenda vendit dhe 85 jashtë vendit) dhe ato në proces hetimi penal me vendim sekuestrimi. Përzgjedhja u bë për çdo qark dhe KZAZ veçmas, duke respektuar trajtimin e barabartë të çdo zone.
Qëllimi i këtij verifikimi është të konfirmohet rregullsia dhe saktësia e administrimit të zgjedhjeve, përfshirë veprimet e administratës zgjedhore dhe numërimin e votave./mxh
