Ushtria izraelite njoftoi se të mërkurën mbrëma ka kryer një sulm ajror ndaj një militanti të Hamasit në Gazën jugore, si hakmarrje për një sulm të mëhershëm gjatë ditës që la të plagosur pesë ushtarë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur armëpushimi i brishtë, i vendosur që nga tetori, po vihet sërish në provë.
Hamasi dënoi sulmin e ndodhur në Khan Younis, duke e cilësuar si shkelje të marrëveshjes.
Më herët gjatë ditës, Izraeli mori mbetjet e një prej pengjeve të fundit në Gaza dhe paralajmëroi se do të lejojë palestinezët të largohen nga territori përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, duke thënë se militantët dolën nga një tunel nëntokësor dhe sulmuan ushtarët izraelitë.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, sulmet ajrore izraelite në muajt e fundit kanë shkaktuar dhjetëra viktima, ndërsa numri total i të vrarëve palestinezë nga konflikti ka kaluar mbi 70 mijë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-të parashikon kthimin e të gjithë pengjeve të marrë nga Hamasi më 7 tetor 2023, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Dy pengjet e fundit të mbetur në Gaza janë izraeliani Ran Gvili dhe shtetasi tajlandez Sudthisak Rinthalak.
Ndërkohë, hapja e pikës kufitare Rafah mbetet e paqartë, pasi Egjipti kërkon që palestinezët të kenë të drejtë të kthehen në Gaza, ndërsa Izraeli thotë se kjo nuk do të ndodhë derisa të dorëzohen mbetjet e fundit të pengjeve.
Konflikti i nisur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ku u vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe u morën 251 pengje, vazhdon të mbetet një nga krizat më të rënda humanitare në rajon./ K.M
