Presidenti rus, Vladimir Putin, ndodhet në Dehli për të forcuar bashkëpunimin me Indinë.
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin indian Narendra Modi, Putin deklaroi se Rusia është gati të sigurojë furnizime të pandërprera me karburant për Indinë.
Ai theksoi se janë arritur disa marrëveshje me Indinë që synojnë forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe tregtare mes dy vendeve.
“Partneriteti energjetik po zhvillohet me sukses. Rusia është një furnizues i besueshëm i burimeve energjetike dhe gjithçkaje të nevojshme për zhvillimin e industrisë energjetike të Indisë. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të sigurojmë furnizime të pandërprera me karburant për ekonominë me rritje të shpejtë të Indisë,” deklaroi Putin.
Ndërkohë, kryeministri indian deklaroi se India dhe Rusia kanë rënë dakord për një program bashkëpunimi ekonomik që synon zgjerimin e tregëtisë deri në vitin 2030.
“Bashkëpunimi ynë në energjinë bërthamore civile ka qenë thelbësor në realizimin e prioriteteve tona të përbashkëta të energjisë së pastër. Ne do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim të favorshëm për të dyja palët. Kjo do të forcojë partneritetin tonë në fushat e energjisë së pastër, prodhimit me teknologji të lartë dhe industrive të epokës së re,” theksoi kryeministri indian.
Vizita e Putinit, e para që nga fillimi i luftës Moskë-Kiev në shkurt të vitit 2022, vjen ndërsa New Delhi përballet me presion në rritje nga SHBA-ja për të ndaluar blerjet e naftës ruse. SHBA-ja ka vendosur tarifë prej 50% për importet indiane, pjesërisht për blerjen e naftës ruse gjatë luftës së vazhdueshme.
India i ka rezistuar dënimit të Rusisë për luftën dhe ka bërë thirrje për paqe përmes dialogut dhe diplomacisë, ndërsa ka thënë se lidhjet e saj me Moskën po shënjestrohen padrejtësisht nga vendet perëndimore, të cilat, sipas saj, vazhdojnë të bëjnë biznes me Moskën kur kjo është në interesin e tyre./mxh
