Presidentja Vjosa Osmani kërkoi mbështetjen e raportuesit për Kosovën në PE, Riho Terras, për heqjen e masave ndaj Kosovës. Ajo thotë se masat po i dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit.
Autoritetet më të larta të Kosovës, kërkojnë nga Bashkimi Evropian, që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Për Prishtinën këto masa janë të pashpjegueshme, të padrejta dhe të paarsyeshme. Këtë deklaratë e bëri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me raportuesin e Parlamentit Evropianpër Kosovën, Riho Terras. Në një njoftim për media të Presidencës, thuhet se në takim “Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore”.
“Pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë”, thuhet në njoftim. m.p.
