Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua këtë të martë në Moskë me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto. Përpara takimit dypalësh, Szijjarto mori pjesë në sesionin e komisionit ruso-hungarez ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik.
Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së komisionit, Szijjarto njoftoi se kompania që operon gazsjellësin TurkStream do të mund të vazhdojë aktivitetin pa pengesa pas zhvendosjes nga Holanda në Hungari.
Ai theksoi se kjo është e mundur falë një marrëveshjeje të arritur me Uashingtonin, e cila garanton që transaksionet financiare të lidhura me funksionimin e TurkStream të mos jenë subjekt i sanksioneve amerikane.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dhanë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet për përdorimin e naftës dhe gazit rus, pasi kryeministri Viktor Orban kërkoi një lehtësim të tillë gjatë takimit me presidentin Donald Trump në Uashington.
Orban u takua gjithashtu muajin e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ku deklaroi se vizita kishte për qëllim sigurimin e furnizimit energjetik të Hungarisë për këtë dimër dhe për vitin e ardhshëm./mxh
