Presioni ndaj Ukrainës është rritur ndjeshëm. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se populli ukrainas është gati për zgjedhje, duke marrë shkas nga pretendimet e Donald Trump se Kievi po e përdor luftën për të shmangur mbajtjen e tyre.
Duke folur me gazetarët, Zelensky tha se do të kërkonte hartimin e propozimeve që mund të ndryshonin ligjin. Zgjedhjet mund të mbahen brenda 60 deri në 90 ditëve të ardhshme nëse siguria për votimin garantohet me ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë, shtoi ai.
Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt si president duhej të përfundonte në maj të vitit 2024, por zgjedhjet janë pezulluar në Ukrainë që kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme pas pushtimit të Rusisë.
“Çështja e zgjedhjeve në Ukrainë varet nga populli ynë, dhe kjo është një çështje për popullin e Ukrainës, jo për popujt e vendeve të tjera, me gjithë respektin për partnerët tanë. Kam dëgjuar aludime se ne po mbahemi fort pas pushtetit, ose se unë personalisht po mbahem fort pas presidencës dhe kjo është arsyeja pse lufta nuk po mbaron. Por kjo, sinqerisht, është një narrativë krejtësisht e paarsyeshme, “deklaroi presideti Zelensky.
Diskutimet rreth mbajtjes së zgjedhjeve kanë bërë bujë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Moska vazhdimisht ka pretenduar se Zelensky është një udhëheqës i paligjshëm, duke kërkuar zgjedhje të reja si kusht për një marrëveshje armëpushimi. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga presidenti Trump, i cili shpesh ndryshon qëndrim.
Megjithatë, ekzistojnë pengesa praktike për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte. Ushtarët që shërbejnë në vijën e frontit mund të mos jenë në gjendje të votojnë. Sipas OKB-së, rreth 5.7 milionë ukrainas jetojnë jashtë vendit për shkak të konfliktit dhe çdo votim do të kërkonte masa komplekse dhe shtesë sigurie.
Ndërkohë, analistët e konsiderojnë pothuajse të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas një sondazhi nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev, rreth 63% e njerëzve mendojnë se zgjedhjet mund të mbahen vetëm pas një paqeje përfundimtare.
Ukraina tashmë ndodhet në një udhëkryq. Zelensky nuk ka pranuar të bëjë lëshime territoriale, ndërsa ka lajmëruar se do t’i paraqesë kundërpropozimin e tij Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë, frika se presidenti amerikan mund të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën është rritur për shkak të gjuhës së ashpër që Trump ka përdorur së fundmi ndaj Kievit dhe vendeve evropiane, shkruan BBC.
Nga ana tjetër, rajoni i Donetskut po braktiset nga banorët për shkak të shkatërrimeve masive./mxh
