Last Updated on 10/12/2025 by EL
Presidenti i SHBA, Donald Trump, mbajti të martën një fjalim në kazino-n Mount Pocono në Pensilvani, duke u përpjekur të rikthejë narrativën e tij ekonomike pas kritikave për ndarjen nga problemet e përditshme të amerikanëve.
Ai premtoi të bëjë jetesën më të përballueshme për qytetarët, duke akuzuar Demokratët për çmime të larta dhe duke u përqendruar në sloganin “Çmime më të ulëta, paga më të larta”.
Megjithatë, pjesa më e madhe e fjalimit u shoqërua me retorikë të njohur nga fushata e tij, përfshirë sulme ndaj politikës së Presidentit Biden, imitime dhe akuza ndaj mediave. Ai gjithashtu sulmoi kongresisten Ilhan Omar, duke përdorur gjuhë raciste dhe duke përhapur pretendime të pavërteta për jetën e saj personale, gjë që nxiti reagime të forta nga kritikët.
Trump gjithashtu trajtoi çështjen e emigracionit, duke promovuar idenë e “emigracionit të kundërt” për të favorizuar qytetarët amerikanë në tregun e punës. Ai ripërsëriti pretendime të diskutueshme mbi vendet nga të cilat vijnë emigrantët dhe mbrojti tarifat tregtare që, sipas tij, kanë sjellë përfitime ekonomike, pavarësisht që statistikat tregojnë se çmimet kanë vazhduar të rriten.
Në pjesën ekonomike, Trump insistoi se tarifat dhe politikat e tij kanë ndihmuar bizneset amerikane, duke përmendur investime në fabrika të reja në shtetet amerikane. Ai e përshkroi situatën e ekonomisë si shumë pozitive, pavarësisht se vetëm një e treta e amerikanëve e vlerësonin pozitivisht menaxhimin e tij ekonomik.
Fjalimi përfundoi me elemente të njohura të performancës së Trump dërsa Village People luante YMCA. Ai inkurajoi mbështetësit të mendojnë për “tre vite dhe dy muaj” të ardhshme si një periudhë të gjatë për ndikimin e tij politik, duke shprehur aspirata për sukses në zgjedhjet e mesmandatës./e.t
