Last Updated on 10/12/2025 by Monika
Papa Leoni i XIV ka shprehur shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e dhunës përgjatë kufirit mes Tajlandës dhe Kamboxhias. Duke iu drejtuar besimtarëve gjatë audiencës së përgjithshme, ai tha se është i trishtuar nga lajmet për rifillimin e konfliktit, ku mes viktimave raportohen edhe civilë, ndërsa mijëra persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Ati i Shenjtë u bëri thirrje palëve të vendosin menjëherë armëpushim dhe të rikthehen në dialog. Ai theksoi se lutjet e tij shkojnë për familjet e prekura dhe popullsitë e dy vendeve, që prej vitesh përballen me tensione të vazhdueshme në zonën kufitare.
Përplasjet e reja, që nisën të hënën, kanë shpërbërë armëpushimin e brishtë të arritur në korrik. Qindra banorë nga të dyja anët e kufirit janë strehuar në qendra të përkohshme, ndërsa disa drejtues komunitetesh kanë mbetur në fshatra për të mbrojtur pronat nga grabitjet, teksa granatimet vazhdojnë herë pas here./mxh
