Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, ka konfirmuar se është në udhëtim drejt Oslos, pikërisht në ditën kur zhvillohet ceremonia e dorëzimit të çmimit. Në një audio-mesazh drejtuar kreut të Komitetit Nobel, Joergen Watne Frydnes, Machado shprehu mirënjohjen për nderimin që, siç tha, i bëhet popullit venezuelas dhe luftës së tyre për demokraci dhe liri. Ajo kërkoi ndjesë që nuk mund të ishte me kohë në ceremoni, por theksoi se dhjetëra venezuelas të tjerë, familjarë dhe bashkëpunëtorë të saj, tashmë ndodheshin në Oslo për ta përfaqësuar.
Machado deklaroi se çmimi i përket të gjithë venezuelasve dhe se me mbërritjen në Norvegji do të ketë mundësinë të ribashkohet me familjen, përfshirë fëmijët që nuk i ka parë prej dy vitesh. Frydnes, nga ana e tij, i uroi udhëtim të mbarë dhe njoftoi se Ana Corina Machado do ta përfaqësojë gjatë ceremonisë solemne në Bashkinë e Oslos, në prani të Mbretit Harald.
58-vjeçarja, inxhiniere në profesion, ishte planifikuar të merrte personalisht çmimin, pavarësisht një ndalimi dhjetëvjeçar për të udhëtuar, të vendosur nga autoritetet e Venezuelës, si dhe periudhës mbi njëvjeçare që ajo kaloi në fshehje. Ende nuk është bërë e ditur se nga cili vend ajo ka telefonuar Komitetin Nobel./mxh
