Luksi i familjes është i garantuar nga vite të tëra pasurimi jo vetëm i Basharit, por i gjithë familjes. Megjithatë, ai rrezikon të mbetet i izoluar nga bota për shkak të rregullave të vendosura nga Vladimir Putin për pritjen e tij: intervista të pakta dhe të kontrolluara, profil i ulët, pa aktivitet politik dhe ndërhyrje minimale në regjimin e ri sirian. Për Putinin, më e rëndësishme është marrëdhënia me qeverinë e re të Damaskut dhe ruajtja e bazave ushtarake ruse në Siri.
Pa perspektivë për të rikthyer pushtetin, si e kalon kohën ish-presidenti Bashar al-Assad? Për të, oftalmologjia është një “rrugë kthimi” 31 vite pas. Në vitin 1994, vëllai i tij Basel, i preferuar nga prindërit dhe i përgatitur për të komanduar dhe drejtuar aparatin represiv të krijuar nga babai i tyre Hafez, vdiq në një aksident automobilistik.
Bashar, i cili nuk kishte treguar ndonjë interes për politikën apo aftësi kriminale si vëllai Basel dhe vëllai tjetër Maher, u detyrua të largohej nga Londra dhe të braktiste oftalmologjinë për një kurs të shpejtë drejt pushtetit të trashëguar. Ai u bashkua me ushtrinë, u bë zyrtar dhe komandant në Liban, dhe pas vdekjes së babait në vitin 2000, u bë president. Në vitin 2011, gjatë shpërthimit të Pranverës Arabe, thuhet se nëna e Basharit, Anisa, e shtyu djalin që hezitonte, të vepronte. “Bëhu burrë, vepro si babai yt, shtypi ata”. I bindur, Bashar mbikëqyri vite të tëra represioni, tortura dhe shkatërrimi.
Sot, ish-presidenti nuk është parë në publik në Moskë. Ai bën një jetë jashtëzakonisht private: studion, shkon në universitet, luan PlayStation dhe pak gjëra të tjera. Bashkëshortja Asma duket e shëruar nga leukemia me të cilën luftoi për vite me radhë dhe është parë në diskutimin e diplomës së vajzës Zein al-Assad, së bashku me fëmijët e tjerë. Familja është parë gjithashtu duke bërë blerje në dyqane ekskluzive dhe ka marrë disa leje për të udhëtuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku jetojnë shumë të njohur të tjerë të eksilit, si ata. Megjithatë, për momentin, vetëm Putin ka garantuar sigurinë e eksilit të Basharit.
Ëndrra e Basharit është të rikthehet të kujdeset për sytë e të tjerëve, madje edhe të operojë, pasi thuhet se kishte dorë të mirë për këtë. Ashtu si në kohën e Londrës, pasioni i tij për oftalmologjinë e bën të mos mendojë për pasojat që mund të ketë për të. Tani, rrëzimi i mundshëm i Putinit ose një ndryshim tjetër i madh politik mund ta detyrojë të merret me mbrojtjen ligjore përpara një gjykate ndërkombëtare për krime lufte.
Nga Andrea Nicastro, Corriere Della Sera/kb