Last Updated on 17/12/2025 by Kesjana
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 16 persona, të akuzuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, në kuadër të procedimit penal nr. 647, pas hetimesh njëvjeçare me metoda proaktive, përfshirë vëzhgime dhe përgjime, është provuar se të pandehurit ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike në qytetet e Sarandës dhe Delvinës, kryesisht te moshat e reja.
Prokuroria bën me dije se tre prej personave të dërguar në gjyq akuzohen gjithashtu për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi janë konstatuar nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e ndalimit nga policia.
Në total, 11 persona akuzohen për “Prodhim dhe shitje narkotikësh” të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, ndërsa për disa prej tyre akuzat lidhen edhe me mbajtjen ose shitjen e lëndëve narkotike, si dhe me mbajtjen pa leje të armëve të ftohta.
Prokuroria e Sarandës thekson se mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të çdo rasti që lidhet me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe shpreh gatishmërinë për të vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë personat e përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme./kb
