“Mirë se vini! E dini që gjithçka filloi nga këtu?”
Nigel Farage priti stafin e gazetarëve të La Repubblica në zyrën e tij në Clacton-On-Sea, një qytet bregdetar dhe i varfër në Essex, në juglindje të Anglisë, ku është zgjedhur deputet në Westminster pas tetë dështimesh.
“Shumë njerëz janë shpërngulur këtu nga Londra Lindore, ku nuk duan më t’i rrisin fëmijët e tyre”.
Me tapet Union Jack, xhaketë jeshile dhe pantallona mustardë, “mbreti i Brexit-it” dhe lideri i partisë së djathtë Reform UK, në krye të sondazheve, zgjodhi La Repubblica për intervistën e tij të vetme ndërkombëtare në prag të 10-vjetorit të referendumit që sanksionoi daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.
La Repubblica: Le të nisim nga 23 qershori 2016…
Farage: Në mëngjes isha pikërisht këtu në Clacton dhe isha shumë i bindur. Pastaj u ktheva në Londër dhe një sondazh na nxirrte dhjetë pikë mbrapa. U demoralizova, pas 23 vitesh fushatë për Brexit-in… piva një gotë verë dhe prita rezultatet në orën 22:00″.
La Repubblica: Kur ju dolët në televizion dhe shpallët humbjen. Por nuk ishte e vërtetë dhe pati akuza se po spekulonit në tregje.
Farage: Budallallëqe. Në orën 4 të mëngjesit e kuptova që ne, brexiter-at, kishim fituar. Shkova për mëngjes me shampanjë në hotelin Ritz. U ndjeva mirë. Çfarë krenarie. E kam pritur këtë moment që kur isha 20 vjeç… pa mua, pa fushatat e mia si eurodeputet në Bruksel, pa YouTube që filloi të shpërndante videot e mia duke anashkaluar mediat tradicionale, Brexit-i nuk do të kishte ndodhur kurrë!.
La Repubblica: A është 23 qershori 2016 dita më e bukur e jetës suaj?
Farage: Profesionalisht po.
La Repubblica: Dhe personalisht?
Farage: Jo. Edhe unë jam njeri normal: katër fëmijë dhe tre nipër.
La Repubblica: 10 vjet më vonë, mendoni se Brexit është zbatuar?
Farage: Sa i përket politikës së jashtme, jemi edhe më me ndikim.
La Repubblica: Por si? Britania e Madhe është edhe më e izoluar në një botë gjithnjë e më të rrezikshme.
Farage: Nuk është e vërtetë. Nuk kishim asnjë peshë në BE. Ndërsa sot, për Ukrainën jemi në vijën e parë. Por pse banorët e Clacton-it dhe shumë të tjerë votuan për Brexit? “To take back control” – për të rimarrë kontrollin.
La Repubblica: Por kjo nuk ka ndodhur.
Farage: E vërtetë. Sepse nuk e kemi dashur ne. Shihni fluksin e madh të migrantëve pas Brexit-it. Sepse konservatorët e tradhtuan vendin. Theresa May? Një katastrofë. Për të mos folur për Boris Johnson-in. Prandaj konservatorët po zhduken. Ligjet tona për bizneset ende ndjekin BE-në. Dhe i kemi shitur të drejtat e peshkatarëve britanikë evropianëve për 11 vite të tjera në këmbim të asgjëje! Kjo më zemëron shumë.
La Repubblica: Por tani Labour në pushtet kërkon t’i afrohet sërish BE-së dhe madje kryebashkiaku i Londrës, Khan, dëshiron rikthim në Bashkim.
Farage: Nuk do të ndodhë kurrë. Edhe Labour do të zhdukej nëse do ta bënte. Brexit mbetet gjëja e duhur për Mbretërinë e Bashkuar. Evropianët nuk e kuptojnë sa të parëndësishëm janë globalisht. Më habit që euroskepticizmi nuk po përhapet… por do të shohim çfarë bëjnë Bardella në Francë dhe AfD në Gjermani….
La Repubblica: Edhe Giorgia Meloni ishte euroskeptike, tani shumë më pak.
Farage: E vërtetë, por të paktën ajo stabilizoi politikën italiane dhe i dha vendit besim. Prandaj nuk doni urdhra nga Brukseli: euroskepticizmi do të rikthehet në modë në Itali. Gjithsesi, personalisht dua marrëdhënie të mira me BE-në, por jo përmes rregullave të Brukselit. Për shembull, në 2015 u thashë të gjithëve në Parlamentin Evropian se ligjet e reja për refugjatët do të hapnin dyert për miliona migrantë të paligjshëm nga Mesdheu. Idiotë! Idiotë!.
La Repubblica: Por Farage, para Brexit-it ju akuzonit migrantët e Europës Lindore. Shumë prej tyre u larguan dhe tani ju e keni me miliona ardhur nga Afrika dhe Azia. Nuk do të ishte më mirë të mbaheshin polakët?
Farage: Është e vërtetë, nga ana kulturore jemi më të afërt. Dhe çdo polak që takoj këtu më thotë se voton për mua, dhe shumë italianë gjithashtu… Por problemi ishte se europiano-lindorët ishin shumë. Shumë. Dhe tani, për shkak të Johnson-it, miliona kanë hyrë pa punë. Do të na kushtojnë të paktën 200 miliardë.
La Repubblica: Ju keni thënë se doni t’u hiqni retroaktivisht shumë migrantëve edhe lejet e qëndrimit të përhershëm. Edhe europianëve?
Farage: Për pjesën tjetër të botës qëndrimi ynë është i qartë. Për europianët duhet të negociojmë me BE-në. Sepse rezidenca e përhershme përfshin përfitime dhe banesa sociale. Tashmë ka lagje në Londër ku 50% e banesave sociale u jepen të huajve që ndonjëherë nuk flasin asnjë fjalë anglisht. Prandaj klasa punëtore e majtë tani po na voton masivisht».
La Repubblica: Po europianët që jetojnë në Britani, a do të jenë të sigurt me ju në qeveri?
Farage: Po, por nuk do të kenë mirëqenie të garantuar, përveç nëse punojnë dhe kontribuojnë.
La Repubblica: Por kjo shkel marrëveshjen ligjore me BE-në.
Atëherë duhet ndryshuar. Duhet të negociojmë… por problemi real janë ata që vijnë nga Pakistani, një katastrofë ekonomike dhe kulturore. Ka qytete britanike ku Islami radikal po përhapet, ku sistemi i ndihmës sociale po shpërthen, ku martesat mes kushërinjve sjellin pasoja shëndetësore.
La Repubblica: A jeni penduar për deklaratat tuaja pas vrasjes së 18-vjeçarit të bardhë Henry Nowak?
Farage: Aspak!
La Repubblica: As pas trazirave të fundit në Belfast?
Farage: Do të kishin ndodhur gjithsesi. Është për të ardhur keq që këta huliganë të maskuar i dhanë justifikim politikanëve të shmangin problemin… Kam zgjedhur fjalët me kujdes: “zemërim i pastër dhe i ftohtë”.
La Repubblica: A mendoni se jemi vetëm në fillim të trazirave më të mëdha?
Farage: Patjetër, nëse nuk gjejmë zgjidhje.
La Repubblica: A diskriminohen vërtet të bardhët?
Farage: Pa dyshim. Flisni me policët anglezë: kanë frikë të quhen racistë dhe të pezullohen.
La Repubblica: Çfarë u përgjigjeni atyre që ju quajnë racist?
Farage: I injoroj. Dua një sistem meritokratik.
La Repubblica: Çfarë mendoni për Elon Musk që “i hedh benzinë zjarrit” të revoltave?
Farage: Edhe politikanët britanikë komentuan George Floyd.
La Repubblica: Por Musk ju injoron dhe mbështet Tommy Robinson…
Farage: Sepse unë nuk jam njeri që i bindem askujt. Askush nuk mund të më blejë.
La Repubblica: As me pesë milionë paund në kriptovaluta?
Farage: Jo. Jam individualist.
La Repubblica: Por ju keni ndryshuar disa herë version për atë donacion.
Farage: Ishte një dhuratë pa kushte.
La Repubblica: Keni frikë nga Rupert Lowe?
Farage: Nuk do të zgjasë.
La Repubblica: Pse?
Farage: Sepse nuk ka strukturë pas tij.
La Repubblica: A mendoni se do të bëheni kryeministër?
Farage: Po. Përveç nëse vjen dikush më i mirë se unë../ET
