Rusia ka reaguar ashpër ndaj krijimit të Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, të iniciuar nga disa vende europiane me qëllim kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se ky mekanizëm nuk ka asnjë fuqi ligjore për Moskën dhe se institucionet e krijuara nën ombrellën e Këshillit të Europës janë, sipas saj, të pavlefshme juridikisht.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se Rusia e konsideron pjesëmarrjen e shteteve apo organizatave ndërkombëtare në këtë komision si një veprim armiqësor ndaj Moskës, me pasoja të mëtejshme.
“Kemi deklaruar vazhdimisht qëndrimin parimor të Federatës Ruse ndaj institucioneve pseudo-ligjore të krijuara nën Këshillin e Europës. Si këto struktura, ashtu edhe vendimet e tyre, janë juridikisht të pavlefshme për ne. Çdo pjesëmarrje në këto mekanizma do të konsiderohet si një veprim jashtëzakonisht armiqësor ndaj Rusisë, me të gjitha pasojat përkatëse,” theksoi Zakharova.
Zakharova e cilësoi nismën si një përpjekje propagandistike të vendeve perëndimore, duke akuzuar Europën se po përpiqet të justifikojë mbështetjen për Ukrainën pas asaj që ajo e quajti dështim të projektit neo-nazist në Kiev.
“Është e qartë për ne se nismëtarët e këtyre konferencave dhe konventave kërkojnë kryesisht efekt propagandistik. Ata përpiqen të bindin popullatat e tyre për vendimet në mbështetje të regjimit të Zelensky-t, ndërkohë që kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ” theksoi Zakharova.
Sipas saj, vendet perëndimore po përpiqen të përfshijnë edhe shtete të tjera jashtë rajonit në këtë nismë, por shumica e vendeve, siç tha ajo, po distancohen nga ajo që e quajti provokim.
Komisioni Ndërkombëtar i Kërkesave për Ukrainën u lançua këtë javë nga disa fuqi europiane, me synimin për të siguruar kompensimin e Ukrainës për qindra miliarda dollarë dëme të shkaktuara nga sulmet ruse dhe krime të dyshuara lufte./mxh
