Last Updated on 18/12/2025 by EL
Konsultimi kombëtar mbi Udhërrëfyesin për Zbatimin e Procesit të Validimit të të Nxënit të Mëparshëm Joformal dhe Informal, mblodhi bashkë në Tiranë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe organizatave të huaja, ofrues të arsimit dhe formimit profesional, partnerë socialë dhe përfaqësues të sektorit privat.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, theksoi rëndësinë e këtij momenti. “Rrugëtimi ynë i përbashkët ka hedhur bazat për njohjen e aftësive të fituara jashtë mjediseve formale të arsimit. Ky moment pasqyron angazhimin e Shqipërisë për të vlerësuar të nxënit gjatë gjithë jetës dhe për të garantuar që asnjë talent të mos mbetet i panjohur”, tha ajo.
“Të gjithë aktorët duhet të japin kontributin e tyre për të ndërtuar një sistem validimi të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Sektori privat, në veçanti, ka një rol jetik për të garantuar që kompetencat e validuara të reflektojnë nevojat reale të vendeve të punës”, nënvizoi Philipp Arnold, zv.shef i misionit në Ambasadën e Zvicrës.
Ndërsa zv. përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Francisco Roquette, theksoi rëndësinë e përputhjes së sistemit shqiptar me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Udhërrëfyesi, është rezultat i një procesi dyvjeçar dhe përfshin modele të validimit, mekanizma sigurie cilësie dhe harmonizim me rekomandimet evropiane, duke krijuar një kuadër gjithëpërfshirës për njohjen dhe certifikimin e aftësive të fituara përmes përvojës së punës dhe të nxënit gjatë gjithë jetës.
Kjo nismë synon të forcojë lidhjen mes zhvillimit të aftësive, punësueshmërisë dhe kërkesave të tregut të punës, duke siguruar që aftësitë e individëve të jenë të njohura, të vlerësuara dhe të përdorshme në sistemin profesional dhe ekonomik të vendit.
Sipas Udhërrëfyesit: Validimi i të Nxënit Joformal dhe Informal është një proces që synon njohjen, vlerësimin dhe certifikimin e aftësive dhe njohurive të fituara jashtë arsimit formal. Në thelb, ky proces i jep mundësi individëve të tregojnë dhe të formalizojnë atë që kanë mësuar përmes përvojës së punës, trajnimeve joformale ose vetë-mësimit.
Nxënia formale, ndodh në shkolla, universitete dhe institucione të tjera të arsimit të rregullt dhe përfundon me certifikata të pranuara zyrtarisht. Nxënia joformale, ndodh përmes kurseve, trajnimeve, seminareve ose aktiviteteve profesionale që nuk përfundojnë automatikisht me një diplomë ose certifikatë dhe nxënia informale, ndodh përmes përvojës së përditshme, punës, vetë-mësimit, aktiviteteve komunitare ose mentorimit, pa struktura formale të mësimit.
Qëllimet e validimit është të njohë aftësitë dhe kompetencat që individët kanë fituar jashtë shkollës; të certifikojë njohuritë në mënyrë që të jenë të përdorshme për punësim, arsimin e mëtejshëm ose avancim profesional; të rrisë aksesin në arsimin dhe tregun e punës për të gjithë, duke shmangur që aftësitë të humbasin pa u vlerësuar.
Ky sistem është pjesë e konceptit të “të nxënit gjatë gjithë jetës”, duke mundësuar që çdo individ të mund të zhvillohet profesionalisht dhe të rrisë punësueshmërinë, pavarësisht moshës ose arsimit formal të mëparshëm.
