Shtetet e Bashkuara të mërkurën miratuan 11,1 miliardë dollarë armë për shitje për Tajvanit, pakoja më e madhe e armëve ndonjëherë nga ShBA-ja për ishullin që është nën presion të shtuar ushtarak nga Kina.
Njoftimi për miratimin e kësaj shitjeje është i dyti nën administratën aktuale të presidentit Donald Trump dhe vjen kur Pekini po e shton trysninë ushtarake e diplomatike kundër Tajvanit, qeveria e të cilit i kundërshton pretendimet e Pekinit për sovranitet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shitja e propozuar e armëve mbulon tetë produkte, përfshirë sistemin raketor “Himars”, obusët, raketat kundërtanke “Javelin”, dronët “Altius” dhe pjesë për pajisje të tjera, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.
Sipas kësaj ministrie, pakoja e armëve është në fazën e njoftimit të Kongresit, i cili e ka mundësinë që ta bllokojë ose ndryshojë shitjen, edhe pse Tajvani ka mbështetje të gjerë nga dy partitë kryesore amerikane.
Në një varg deklaratash ku u njoftuan hollësi të marrëveshjes për armët, Pentagoni tha se shitja e armëve u shërben interesave kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë të ShBA-së duke i mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të Tajvanit për t’i modernizuar forcat e armatosura dhe për të mbajtur “një kapacitet të besueshëm të mbrojtjes”.
I shtyrë nga Shtetet e Bashkuara, Tajvani ka qenë duke punuar për t’i transformuar forcat e veta të armatosura në mënyrë që të jenë në gjendje për të zhvilluar “luftë asimetrike”, duke përdorur armë të lëvizshme,më të vogla e shpesh më të lira por që kanë goditje me shënjestër, siç janë dronët. m.p.
