Qeveria australiane ka shpallur një skemë të re kombëtare për riblerjen e armëve të zjarrit, pas sulmit terrorist në Bondi Beach, ku humbën jetën 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Ky sulm konsiderohet më vdekjeprurësi në Australi në dekada.
Skema e re është më e madhja që nga masakra e Port Arthur në vitin 1996, e cila çoi në vendosjen e disa prej ligjeve më të rrepta për kontrollin e armëve në botë. Autoritetet thanë se qëllimi kryesor është ulja e numrit të armëve në qarkullim dhe parandalimi i sulmeve të ngjashme në të ardhmen.
Sipas policisë, sulmi i së dielës u krye nga baba e bir, të motivuar nga ideologjia e Shtetit Islamik. Naveed Akram, 24 vjeç, është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe kryerjen e një akti terrorist, ndërsa babai i tij, Sajid, u vra gjatë sulmit.
Kryeministri Anthony Albanese deklaroi se në Australi ka mbi 4 milionë armë zjarri – më shumë se në kohën e masakrës së Port Arthur. Ai theksoi se një nga autorët kishte leje për armë dhe posedonte gjashtë armë zjarri, pavarësisht se jetonte në një zonë urbane të dendur.
Skema e re do të financohet në mënyrë të përbashkët nga qeveria federale dhe shtetet, në raport 50-50, dhe pritet të çojë në mbledhjen dhe shkatërrimin e qindra mijëra armëve të zjarrit të paligjshme, të ndaluara rishtazi ose të panevojshme.
Masat e tjera përfshijnë vendosjen e kufijve për numrin e armëve që mund të mbajë një individ, kufizimin e licencave me afat të pakufizuar, shtrëngimin e kritereve për llojet e armëve të lejuara dhe vendosjen e shtetësisë australiane si kusht për marrjen e një licence për armë zjarri.
Gjithashtu, autoritetet do të përshpejtojnë krijimin e një regjistri kombëtar të armëve të zjarrit dhe do t’u japin rregullatorëve akses më të madh në inteligjencën kriminale.
Ndërkohë, policia në Uellsin e Ri Jugor ka bërë të ditur se po monitoron disa persona me ideologji ekstremiste, duke theksuar se autoritetet nuk do të tolerojnë asnjë rrezik për sigurinë publike./K.M
