Kur synimi yt është të “ndihmosh Europën të korrigjojë trajektoren e saj aktuale” sepse është “e dobët”, “në shkatërrim” dhe përballet me “zhdukje civilizuese”, zgjedhja e personave të trajnuar për këtë mision është padyshim me rëndësi të madhe.
Në rastin e Donald Trump, ata përfshijnë: një ish-magnat hamburgerësh; ish-të fejuarën e djalit të tij të madh; pronarin e ekipit të basketbollit Houston Rockets; një producent të Broadway; bashkëthemeluesin e PayPal; dhe një të dënuar që është gjithashtu babai i dhëndrit të tij.
Një grup i ri ambasadorësh amerikanë është emëruar muajt e fundit në kryeqytetet e Europës dhe nuk vonoi të ngjallte habi. Ata janë “praktikisht të gjithë të afërm, miq të ngushtë ose dhurues të mëdhenj [donatorë]”, tha një diplomat i BE-së që nuk deshi të identifikohej. “Kjo ka qenë gjithmonë traditë amerikane, por kurrë nuk ka qenë kaq e hapur. Këta janë si dishepuj të Magës”. Të tjerë kanë qenë më të drejtpërdrejtë. “Çmenduria e këtyre emërimeve pasqyron një përçmim total për dinjitetin njerëzor, zakonet dhe ligjin. Vetëm tekat kanë rëndësi”, tha ish-ambasadori francez në SHBA, Gérard Araud, pas shpalljes së një kandidature.
Emërimet politike, shpesh një eufemizëm për mbështetës dhe donatorë të mëdhenj, kanë qenë prej kohësh një tipar i diplomacisë amerikane dhe e vetmja gjë që mund të thuhet për grupin aktual, i fundit prej të cilëve mbërriti në tetor dhe nëntor, është se nuk përbëjnë përjashtim.
Shumë prej tyre janë multimilionerë, disa miliarderë. Së bashku, ata kanë derdhur dhjetëra miliona dollarë në arkën e Magës. Pothuajse të gjithë kanë lavdëruar presidentin me zë të lartë dhe vazhdimisht. Pothuajse asnjëri nuk ka ndonjë përvojë diplomatike.
Strategjia e sigurisë së SHBA-ve e publikuar në dhjetor pretendon se Europa përballet me një kolaps kulturor të afërt, pasi emigracioni e kthen pjesërisht në “jo-shumicë europiane”, ndërsa BE “minon sovranitetin”, censuron lirinë e fjalës dhe “shtyp opozitën politike”.
Andrew Puzder është emëruar ambasador i SHBA-ve në BE. Ish-drejtor ekzekutiv i kompanisë që menaxhon Hardee’s dhe Carl’s Jr, Puzder këtë muaj mbrojti strategjinë e re të sigurisë së SHBA-së. Ai tha se emigracioni jashtë BE-së po çonte në “rënien e vlerave kulturore”, duke shtuar se SHBA nuk dëshiron të shohë Europën të humbasë identitetin e saj. “Sa nga sovraniteti i tyre e kanë dhënë [shtetet anëtare të BE-së]për të qenë pjesë e një unioni ekonomik?” pyeti Puzder.
Ambasadorja e SHBA-ve në Luksemburg është Stacey Feinberg, sipërmarrëse, investitore, donatore republikane, producente Broadway, trashëgimtare dhe mike e ngushtë e aktivistit të ndjerë të ekstremit të djathtë Charlie Kirk. Ajo së fundmi e quajti Trump “presidenti më i madh amerikan që nga George Washington”.
Tilman Fertitta është përfaqësuesi i Uashingtonit në Romë që nga vera. Pronari i ekipit të basketbollit Houston Rockets dhe i Landry’s, që operon mbi 600 hotele, restorante dhe kazino në SHBA, Fertitta, ka një pasuri të vlerësuar në 10.7 miliardë dollarë. Ai është gjithashtu fytyra e emisionit televiziv Billion Dollar Buyer dhe ka bërë biznes për dekada me Trump, i cili dikur e quajti “binjakun” e tij. Jahti i tij gjigant 117 metra, me dy helipade dhe dy pishina, u lëshua këtë muaj.
Një emër më i ri është Ken Howery, bashkëthemelues i PayPal, i cili përballet me sfidën delikate të bindjes së Danimarkës se, sipas fjalëve të Trump, “pronësia dhe kontrolli amerikan” mbi ish-koloninë daneze të Grenlandës është “një domosdoshmëri absolute”.
Një ish-ministër i tha Guardian se ishte i habitur kur pa deputetë meshkuj që shtyheshin për të shtrënguar dorën e Guilfoyle gjatë vizitës së saj të parë në parlamentin grek. “Ishte, sinqerisht, turpëruese”, tha ai.
Por ndërsa lidhja e drejtpërdrejtë e Guilfoyle me rrethin e brendshëm të Trump mund të jetë e dobishme, veprimet e saj kanë alarmuar disa. Ambasadorja e re nuk është përmbajtur nga kalimi i vijave të kuqe diplomatike. Vetëm një muaj në detyrë, besnikja e fortë e Trump ka ngritur hapur shqetësime për shkallën “të pafat” të ndikimit të Kinës në portin e Pireut në Athinë.
“Ajo është e zgjuar, por edhe shumë e drejtpërdrejtë dhe po aq jo diplomatike sa Trump”, tha një biznesmen që e ka parë Guilfoyle në veprim. “Qasja e saj është shumë transaksionale”.
Marrëdhëniet e mira të presidentit amerikan me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, kanë krijuar gjithashtu shqetësim se entuziazmi i Guilfoyle mund të shtrihet deri te një afrimitet me Turqinë, një perspektivë e ngritur publikisht nga Tom Barrack, ambasadori amerikan në Ankara.
“Nuk do të habiteshim nëse do të kishte një ‘incident të nxehtë’ në Egje që do t’u lejonte dy ambasadorëve të ndërhynin dhe të ‘rregullonin’ marrëdhëniet mes dy anëtarëve të NATO-s që grindeshin”, tha një burim. “Duket e çmendur, por a nuk do të donte Trump çmimin Nobel për paqe?”/mxh
