Last Updated on 20/12/2025 by EL
Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka tronditur futbollin shqiptar në ndeshjen Flamurtari–Teuta, e zhvilluar në Vlorë. KF Teuta ka reaguar zyrtarisht, duke publikuar pamje dhe detaje shqetësuese mbi dhunën e ushtruar ndaj futbollistëve të saj dhe mënyrën se si u menaxhua situata nga autoritetet e ndeshjes.
Sipas klubit durrsak, në minutën e 69-të të takimit, futbollistët Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht fillimisht nga lojtarë të Flamurtarit dhe më pas nga tifozë vendas, të cilët mësynë në fushën e lojës. Episodi solli panik dhe shok psikologjik te lojtarët e Teutës, duke e bërë të pamundur vazhdimin normal të ndeshjes.
Pavarësisht situatës së rëndë, delegati i FSHF-së, Armando Mandro, kërkoi që ndeshja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë boshatisjen e tribunës përballë (C), duke mos marrë parasysh gjendjen psikologjike të futbollistëve dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre.
KF Teuta thekson se ka kundërshtuar rifillimin e takimit, duke insistuar se ekipi nuk ishte në gjendje të luante, por vendimi i delegatit ishte që loja të vazhdonte me çdo kusht. Ndeshja, sipas klubit, u kthye në një “ferr”, ku futbollistët nuk ishin më të fokusuar në lojë, por të detyruar të qëndronin në fushë.
Klubi durrsak bën me dije se disponon edhe pamje të tjera filmike, të cilat tregojnë se tifozët e Flamurtarit nuk u larguan realisht nga stadiumi, por u zhvendosën në tribunën pas porte, duke shtuar rrezikun për incidentet.
Në reagimin e tij zyrtar, KF Teuta i bën thirrje Federatës Shqiptare të Futbollit që të marrë masa të menjëhershme, të hetojë plotësisht ngjarjen dhe të zbardhë përgjegjësitë për këtë incident të rëndë, duke theksuar se skena të tilla njollosin rëndë futbollin shqiptar dhe nuk duhet të përsëriten më./e.t
