Pezullimi i përkohshëm i Lotarisë Amerikane ka ngritur shqetësime të shumta te mijëra aplikantë, përfshirë edhe shqiptarët që çdo vit presin me interes këtë program emigrimi. I ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, eksperti i emigracionit në SHBA, Lorenc Mansaku, paralajmëroi se situata mbetet e paqartë dhe se pezullimi mund të prekë edhe personat që tashmë e kanë fituar lotarinë.
Eksperti theksoi se, nëse kjo ndodh, edhe fituesit që janë në pritje të intervistës mund të përballen me vonesa ose pezullim të procesit. “Kam frikë se ky pezullim mund të zgjasë dhe ndoshta të shkojë përtej afatit të programit, që përfundon më 30 shtator 2026”, tha Mansaku.
Ai kujtoi se Lotaria Amerikane nuk mund të hiqet përfundimisht pa një vendim të Kongresit, pasi kjo do të kërkonte ndryshime në Aktin e Emigracionit dhe Nënshtetësisë. Megjithatë, sipas tij, administrata aktuale synon një rishikim të programeve të emigracionit, duke favorizuar punonjës të kualifikuar dhe kritere më të forta për pranimin e emigrantëve.
Në këtë situatë të paqartë, Mansaku kishte një sugjerim për ata që tashmë e kanë marrë vizën. “Këshilla ime është që të udhëtojnë mundësisht sa më shpejt, sepse nuk dihet se çfarë udhëzimesh do të jepen më vonë për personat që kanë fituar vizën dhe në vazhdim. Pra, në këto momente nëse dikush ka fituar vizën duhet të udhëtojë sa më parë në mënyrë që ta shmangë këtë pezullim. E zëmë dikush ka bërë intervistën, ka fituar vizën të shkojë nesër. Që nesër në këtë situatë të paqartë ku nuk dihet se çfarë urdhri do dalë nesër”, tha ai.
