Gjenerali amerikan u lind me 23 dhjetor të vitit 1944
Nga Leonard Veizi
Ka burra të fortë që hyjnë në histori jo vetëm me uniformë, por me hijen që lënë pas. Uesli Klark i përket këtij rrethi të ngushtë njerëzish, tek të cilët mendimi paraprin urdhrin dhe fjala peshon po aq sa arma. I formuar në disiplinën e hekurt të West Point-it, ku në vitin 1966 doli valediktor i klasës së tij, Klark nuk u mjaftua vetëm me artin e luftës. Një Bursë “Rhodes” e çoi në Oksford, në zemrën e mendimit evropian, ku studioi Filozofi, Politikë dhe Ekonomi – tri shtylla që do ta shoqëronin më pas në çdo vendim të madh…
…Në sytë e shqiptarëve, emri i tij nuk mbeti thjesht një rresht në hierarkinë ushtarake amerikane. Më 11 korrik 1997, kur u emërua Komandant Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, ai hyri në një kapitull që do të lidhej përgjithmonë me fatin e Kosovës. Gjatë pranverës së vitit 1999, Klark ishte fytyra e vendimeve të vështira, zëri që artikulonte një ndërhyrje që do të ndryshonte rrjedhën e historisë në Ballkan. Fushata ajrore kundër objektivave serbe nuk ishte vetëm një operacion ushtarak; ajo ishte një mesazh politik i dërguar “nga qielli”.
Vetë Klark e ka pranuar më vonë, me sinqeritetin e një strategu që njeh kufijtë e diplomacisë dhe të forcës: “Këto ishin bombardime politike ndaj Serbisë, sepse si gjeneral ushtarak ju garantoj se ndryshe, lufta në Kosovë do të kishte mbaruar për katër ditë.” Në këtë fjali përmblidhet paradoksi i luftës moderne: fitorja e shpejtë nuk është gjithmonë ajo që kërkon politika.
Fillimet
Si i ri mbeti pa baba dhe u adoptua nga bashkëshorti i ardhshëm i nënës së tij, Viktor Klark. Këtë fakt, si dhe origjinën e tij, Uesli Klark e mësoi shumë vonë, pas moshës 20-vjeçare. Ai u lind më 23 dhjetor 1944. Babai i tij biologjik ishte Benjamin Xhejkëb Kan, me origjinë hebreje, i ardhur në Amerikë nga Rusia në fund të shekullit XIX.
Klark është i martuar me Gertrud Kirgiston nga Bruklini, me të cilën ka një fëmijë, Ueslei i Riu, i cili ka përfunduar studimet në Kaliforni.
Shkollimi
Gjenerali Klark ka përfunduar Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju Jork, ku u diplomua si kadeti më i dalluar i klasës. Studimet e larta në fushën e ekonomisë dhe politikës i përfundoi në Universitetin e Oksfordit në Angli, gjatë viteve 1966–1968.
Gjatë karrierës akademike dhe ushtarake, Klark ka përfunduar gjithashtu Kolegjin Kombëtar të Luftës dhe Kolegjin e Komandës së Përgjithshme, duke u specializuar si oficer i njësive të blinduara, në doktrinën e përgjithshme ushtarake, si vëzhgues dhe si komandant i njësive ajrore.
Karriera
Në vitet 1976–1977, Klark shërbeu si asistent special i drejtorit për buxhetin në Shtëpinë e Bardhë të SHBA-së, si dhe si asistent i profesorit të shkencave sociale në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë Luftës së Vietnamit, ai ishte toger dhe komandonte tri kompani me detyrë luftarake në zonën Lai Khe. Njësia e tij u dallua për mënyrën e planifikimit dhe të ndërmarrjes së operacioneve luftarake, duke arritur rezultate të shkëlqyera. Për suksesin dhe trimërinë e dëshmuar, ai u dekorua me “Silver Star” (“Ylli i Argjendtë”).
Deri në vitin 1986 shërbeu si komandant i batalionit të parë të Brigadës së 77-të të Divizionit të Katërt. Në vazhdën e Luftës së Ftohtë, mori komandën e Brigadës së Tretë të Divizionit të Katërt të Këmbësorisë, post që e mbajti deri në vitin 1988.
Gjatë periudhës 1994–1996, ai ishte përgjegjës për planifikimin e politikës ushtarake të SHBA-së në nivel global, pranë Institutit për Planifikime Strategjike. Në këtë periudhë u angazhua drejtpërdrejt në zhvillimet në Ballkan dhe, së bashku me Richard Holbrooke, u takua disa herë me liderët e serbëve të Bosnjës për përgatitjen e Marrëveshjes së Dejtonit.
Nga qershori 1996 deri në korrik 1997, shërbeu si komandant i forcave të NATO-s për Amerikën Latine dhe Karaibet.
Lufta e Kosovës
Më 11 korrik 1997, Uesli Klark u emërua Komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Evropën. Më 23 mars 1999, nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, mori urdhrin për fillimin e reagimit ushtarak ndaj gjenocidit në Kosovë, të ndërmarrë nga ish-Jugosllavia.
Ndërhyrja ushtarake nën komandën e Klarkut u cilësua si e suksesshme nga qarqet ushtarake, pasi arriti objektivat kryesore:
ndalimin e menjëhershëm të të gjitha aktiviteteve ushtarake dhe paramilitare të njësive serbe;
ndalimin e menjëhershëm të shpërnguljes me dhunë të popullsisë nga Kosova;
kthimin e pakushtëzuar të të gjithë të larguarve;
vendosjen e një force ndërkombëtare për sigurinë e qytetarëve dhe zbatimin e planit;
ardhjen e verifikatorëve ndërkombëtarë në Kosovë.
Gjatë kësaj ndërhyrjeje, Klark futi në përdorim edhe helikopterët “Apache”.
Epilogu
Operacioni i fundit që Uesli Klark drejtoi si Shef i Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Evropë ishte pikërisht ndërhyrja në Kosovë. Menjëherë pas përfundimit të luftës, ai doli në pension.
