Kur dizajneri i famshëm i veturave, Sasha Selipanov, zbuloi hiper-veturën e tij, Nilu27, në gusht, disa gazetarë e pyetën për emrin.
Nilu është bashkim i emrave të dy vajzave të tij, Nica dhe Lucia, ndërkaq numri 27 është referencë për diçka që ai pa si fëmijë në Tbilisi.
Dimrin e vitit 1991, Gjeorgjia, që rishtazi ishte pavarësuar, ishte përfshirë në një luftë civile dhe Selipanov, që atëbotë ishte 7-vjeçar, kishte parë nga afër luftimet.
“Më kujtohet shumë mirë ajo kohë”, tha Selipanov, duke thënë se ai dhe familja e tij ishin strehuar në banesën e tyre në qendër të Tbilisit. “Kishte të shtëna me armë gjithandej, dhe [militantët] dogjën disa ndërtesa në lagje, ndër to edhe ëmbëltorja ime e preferuar u bë shkrumb e hi”.
Kur luftimet u bënë më intensive, gjyshi i Selipanovit shkoi në banesën e tyre. “Ai i tha babait tim se duhet t’i mbledhim gjërat dhe të ikim”. Teksa familja e tij me nxitim u largua nga qendra e qytetit me veturë, Selipanov tregoi se “mund të shihnim plumbat që fluturonin”.
Në banesën e gjyshërve të tij në pjesën veriore të Tbilisit, zonë relativisht e sigurt, ai nisi të eksploronte shtëpinë e tij të re dhe zbuloi një revistë të vjetër për vetura. Ai e shfletoi atë, derisa u ndal kur e pa një fotografi. Ishte një veturë garash – një Ferrari i kuq, që kishte numrin 27 të vendosur në pjesën e përparme.
Për Selipanovin, dashuria për avionët luftarakë sovjetikë u zhduk pasi e pa luftën nga afër. “Isha i mërzitur me gjithçka dhe çdo gjë dhe definitivisht nuk isha i lumtur kur e pash ushtrinë në aksion”, tha ai. Ferrari përfaqësonte diçka ndryshe. m.p.
