Administrata e presidentit Donald Trump ka tërhequr në heshtje rreth 30 ambasadorë dhe diplomatë të lartë amerikanë nga postet e tyre jashtë vendit, në kuadër të një riorganizimi në Departamentin e Shtetit që synon promovimin e emërimeve besnike ndaj administratës së re.
Lëvizja, e konfirmuar nga disa diplomatë aktualë dhe ish-zyrtarë të lartë, konsiderohet e pazakontë pasi prek diplomatë karriere të shërbimit të jashtëm, të cilët zakonisht qëndrojnë në poste edhe pas ndërrimit të administratave për shkak të rolit të tyre apolitik.
Sipas zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, ambasadorët e tërhequr nuk do të shkarkohen, por do të ricaktohen në detyra të tjera. “Ambasadorët janë përfaqësues personalë të Presidentit dhe është e drejta e tij të sigurohet që ata të avancojnë axhendën ‘America First’”, u shpreh një zyrtar i lartë amerikan.
Megjithatë, Shoqata Amerikane e Shërbimit të Jashtëm (AFSA) dhe sindikata që përfaqëson diplomatët amerikanë kanë shprehur shqetësim se procesi i ri i promovimeve favorizon diplomatë të afërt me administratën, duke rrezikuar politizimin e diplomacisë amerikane.
Rajoni më i prekur është Afrika, ku janë tërhequr ambasadorë ose shefa misionesh nga disa vende, përfshirë Nigerin, Ugandën, Senegalin, Somalinë dhe Nigerinë. Urdhra tërheqjeje janë dhënë edhe për përfaqësues diplomatikë në Lindjen e Mesme dhe në disa vende evropiane, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi./kb
