Last Updated on 25/12/2025 by Monika
Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po ringjallin “piraterinë dhe banditizmin” në Detin e Karaibeve, duke bllokuar Venezuelën. Deklarata u bë nga zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova.
Sipas saj, situata përfaqëson “paligjshmëri të plotë” dhe shkelje të normave të së drejtës ndërkombëtare. Zakharova theksoi se Rusia mbështet një ulje të tensioneve dhe shprehu shpresën se pragmatizmi i Presidentit amerikan, Donald Trump, do të ndihmojë në shmangien e një përshkallëzimi të rrezikshëm.
“Ne shpresojmë që racionaliteti i Presidentit Trump të lejojë gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjitha palët, brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar,” u shpreh ajo.
Në të njëjtën kohë, Moska konfirmoi mbështetjen për qeverinë e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, duke theksuar se Rusia qëndron në krah të përpjekjeve për mbrojtjen e sovranitetit, interesave kombëtare dhe stabilitetit të vendit.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të shtuara mes Uashingtonit dhe Karakasit, ndërsa situata në rajonin e Karaibeve mbetet e brishtë./mxh
