Nëntë persona janë arrestuar nga policia italiane dhe Guardia di Finanza. Ata akuzohen se kanë financuar Hamasin me shtatë milionë euro përmes shoqatave. Masat paraprake ndaj këtyre 9 personave të cilët janë në burg u lëshuan si pjesë e një hetimi të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia. Sipas mediave italiane, masa janë caktuar edhe ndaj tre shoqatave.
Presidenti i Shoqatës Palestineze në Itali është gjithashtu midis të arrestuarve, ndërsa hetuesit italianë e përshkruajnë Mohammad Hannoun si një anëtar të degës së huaj të organizatës terroriste Hamas dhe udhëheqësin e qelizës italiane të organizatës Hamas.
Hetimi filloi me analizën e transaksioneve të dyshimta financiare dhe u zhvillua nëpërmjet shkëmbimeve të informacionit me agjenci të tjera italiane të zbatimit të ligjit, me autoritetet në Holandë dhe vende të tjera të BE-së. Sipas hetuesve, financimi i aktiviteteve terroriste ndodhi nëpërmjet tre organizatave bamirëse.
Konkretisht, të arrestuarit akuzohen se kanë kontribuar në aktivitetet kriminale të organizatës terroriste, për një shumë totale prej afërsisht shtatë milionë eurosh, nëpërmjet transfertave bankare ose mjeteve të tjera, nëpërmjet shoqatave me bazë jashtë vendit, te shoqatat me bazë në Gaza të shpallura të paligjshme nga Shteti i Izraelit sepse i përkisnin, kontrolloheshin nga ose ishin të lidhura ndryshe me Hamasin ose drejtpërdrejt me anëtarët e Hamasit, veçanërisht Osama Alisawi, ish-ministër i qeverisë “de facto” të Hamasit në Gaza, i cili në raste të ndryshme kërkoi mbështetje financiare.
“Pavarësisht prezumimit të domosdoshëm të pafajësisë që duhet të njihet gjithmonë në këtë fazë, është hequr mbulesa mbi sjelljet dhe aktivitetet që, pas fasadës së shoqatave në dobi të popullsisë palestineze, fshihej mbështetja dhe pjesëmarrja në organizata me qëllime të vërteta terroriste me natyrë islamike. Ky është një rrezik të cilit qeveria jonë po i kushton vëmendjen më të madhe”, deklaroi Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi./K.M
