Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky bëri një ndalesë në Kanada këtë të shtunë, në rrugën e tij drejt një takimi me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të caktuar për të dielën në Florida.
Zelensky u takua në Halifax me kryeministrin kanadez Mark Carney, i cili tha se sulmi i fundit rus nënvizoi nevojën për të qëndruar pranë Ukrainës.
“Ne kemi kushtet e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, por kjo kërkon një Rusi të gatshme, dhe barbarizmi që pamë gjatë natës… tregon se sa e rëndësishme është që ne të qëndrojmë pranë Ukrainës”,-tha Carney në një deklaratë.
Kjo e shtunë nuk kaloi pa sule, teksa Rusia gjithashtu pretendoi përparime të reja në terren me kapjen e dy qyteteve në pika të ndryshme përgjatë vijave të frontit.
Zelensky tha se sulmi rus tregoi se Moska nuk kishte ndërmend t’i jepte fund pushtimit që nisi në shkurt 2022 dhe i cili ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz.
Rusia ka akuzuar Ukrainën dhe mbështetësit e saj europianë se po përpiqen të shkatërrojnë një plan të mëparshëm të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të ndaluar luftimet.
Duke shtuar presionin në fushën e betejës, Rusia njoftoi të shtunën se kishte pushtuar dy qytete të tjera në Ukrainën lindore, Myrnograd dhe Guliaipole./mxh
