Autoritetet turke dhe ato libiane kanë nisur një hetim të gjerë mbi rrëzimin e një avioni privat pranë Ankarasë, i cili i mori jetën shefit të ushtrisë së Libisë, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad dhe shtatë personave të tjerë. Ngjarja ka mobilizuar ekspertë ndërkombëtarë për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie ajrore.
Avioni i tipit “Dassault Falcon 50”, i prodhimit francez, u ngrit nga aeroporti i Ankarasë të martën në orën 14:17 me destinacion Libinë.
Vetëm 16 minuta pas nisjes, ekuipazhi raportoi një defekt elektrik dhe kërkoi kthim urgjent. Kontakti me radarin u humb në orën 14:41, teksa avioni po zbriste drejt pistës.
Zyrtarët njoftuan se pati vetëm një dritare prej dy minutash mes sinjalit të emergjencës dhe rrëzimit në tokë.
Pikat ku po fokusohet hetimi
Prokuroria e Ankarasë po drejton kërkimet, ku po marrin pjesë edhe ekspertë nga agjencia franceze e aviacionit civil, BEA. Hetimi po analizon kutitë e zeza, faktorin teknik dhe ekuipazhin.
Regjistrimet e zërit në kabinë dhe të dhënat e fluturimit janë siguruar dhe do të analizohen, ndoshta edhe jashtë Turqisë për më shumë transparencë. Po shqyrtohen regjistrat e mirëmbajtjes së avionit dhe mostra të karburantit për të përjashtuar ndotjen e tij.
Po ashtu po rishikohen orët e pushimit të pilotëve, historia e tyre mjekësore dhe bisedat me kullën e kontrollit.
Një çështje ndërkombëtare
Ekspertët e aviacionit e konsiderojnë këtë një incident kompleks ndërkombëtar pasi përfshihen disa shtete. Avioni ishte francez, i marrë me qira nga qeveria libiane, me pilotë të huaj dhe u rrëzua në tokë turke.
Edhe pse ekuipazhi raportoi një defekt elektrik, analistët paralajmërojnë se është ende herët për të dalë në përfundime. Sipas rregullave ndërkombëtare, një raport paraprak pritet brenda 30 ditëve, ndërsa ai përfundimtar mund të zgjasë deri në një vit./KM
