Nga Leonard Veizi
Më 23 tetor 1892, në Stamboll, u shua Abdyl Frashëri. Ai ishte jo thjesht një nga krerët e Lidhjes së Prizrenit, por një nga të paktët burra të Rilindjes që kuptoi se drama shqiptare nuk ishte ushtarake, por politike…
…Në fund të shekullit XIX, shqiptarët nuk rrezikonin vetëm të humbnin luftëra. Rrezikonin të humbnin pa luftuar fare. Perandoria Osmane po tërhiqej, harta e Ballkanit po rishkruhej në kancelaritë e Europës, dhe fati i trojeve shqiptare po vendosej pa shqiptarët. Pikërisht këtë paradoks e pa Abdyl Frashëri.
I lindur në Frashër më 1839, i formuar politikisht në Janinë, ai nuk ishte një idealist i letrave, por një organizator. Në 1877, kur Kriza Lindore e bëri të qartë se Shqipëria mund të copëtohej për të kënaqur orekset e fqinjëve, ai mori drejtimin e Komitetit Shqiptar të Janinës dhe më pas u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare në Stamboll. Qëllimi i tij ishte i qartë: t’i jepte çështjes shqiptare atë që i mungonte më shumë – një zë politik.
Traktati i Shën Stefanit, i vitit 1878, ishte këmbanë alarmi. Aty u provua në mënyrën më brutale teza e tij: një popull pa program politik trajtohet si plaçkë lufte. Reagimi nuk mund të ishte vetëm pushka. Duhej një platformë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në qershor 1878, lindi si reagim për mbrojtjen e tokave. Abdyl Frashëri tentoi ta kthejë reagimin në projekt. Për të, Lidhja nuk duhej të mbetej një milici territoriale që shuhej sapo largohej rreziku i menjëhershëm, por një qeverisje embrionale e shqiptarëve. Prandaj u rreshtua me krahun autonomist. Autonomia nuk ishte për të separatizëm romantik, por mburojë juridike: nëse nuk mund të jemi ende shtet i pavarur, të paktën të mos jemi objekt pazari.
Kjo linjë e bëri të papajtueshëm si me Portën e Lartë, ashtu edhe me një pjesë të moderuar të Lidhjes. Kuvendi i Dibrës dhe përpjekja e vitit 1881 për të konsoliduar administratën autonome ishin kulmi i këtij vizioni. Përgjigja osmane ishte ekspedita e Dervish Pashës. Lidhja u shtyp.
Çmimi për Abdyl Frashërin ishte personal dhe i rëndë: burg në kalanë e Prizrenit për tre vjet, pastaj internim me familjen në Ballëkesir dhe Bandërma. Shëndeti iu rrënua përgjithmonë. Kur u kthye në Stamboll me një detyrë modeste në këshillin bashkiak, ai ishte tashmë një njeri i thyer fizikisht, por jo politikisht.
Ai vdiq më 23 tetor 1892 pa e parë Shqipërinë e lirë. Por la pas një trashëgimi që Rilindja shpesh e harron të lexojë drejt: Ideja se kultura dhe gjuha nuk mjaftojnë pa organizim politik. Se patriotizmi pa institucione është retorikë. Dhe se rreziku më i madh për një komb të vogël nuk është armiku i jashtëm, por mungesa e vullnetit për të vendosur vetë për fatin e tij.
Sot e përkujtojmë me emra rrugësh dhe buste. Nderimi i vërtetë do të ishte të kuptonim aktualitetin e tezës së tij. Në 1878, Abdyl Frashëri paralajmëroi se nëse nuk ulemi vetë në tryezën ku vendoset fati ynë, të tjerët do të vendosin për ne. Më 23 tetor 1892 humbëm njeriun, por jo paralajmërimin. Ky paralajmërim është ende programi politik më i qartë që kemi.
Ky është vendi i tij i vërtetë: jo vetëm në panteonin e Lidhjes, por si një nga themeluesit e mendimit politik modern shqiptar.
