Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor dhe ajror në Holandë të hënën, më 5 janar. Dëbora ka mbuluar rrugët, duke sjellë vonesa të shumta dhe aksidente në disa zona të vendit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi sa herë që është e mundur, pasi qindra fluturime janë anuluar dhe transporti hekurudhor në zonën e Amsterdamit është bllokuar pothuajse plotësisht.
Aeroporti i Amsterdamit, Schiphol, një nga nyjet ajrore më të ngarkuara në Evropë, anuloi rreth 500 fluturime gjatë orëve të para të mëngjesit dhe u mbyll për fluturimet hyrëse deri në orën 12:00 GMT, sipas agjencisë së lajmeve ANP.
Ndërkohë, kompania kombëtare e hekurudhave holandeze, NS, njoftoi se asnjë tren nuk po qarkullonte në rajonin përreth Amsterdamit, ndërsa transporti publik është rëndë i prekur edhe në zona të tjera të vendit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e dëborës pritet të vazhdojnë në Holandë gjatë gjithë javës./mxh
