Shtetet e Bashkuara kanë tronditur skenën politike ndërkombëtare pas operacionit spektakolar që çoi në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe dërgimin e tij në Nju Jork, ku pritet të dalë para drejtësisë. Por, sipas një analize të CNN, kjo nuk është një përsëritje e ndërhyrjeve të dështuara si ajo në Irak, por një strategji e re presioni dhe imponimi politik.
Administrata Trump synon tashmë të ushtrojë kontroll indirekt mbi Venezuelën përmes zëvendëspresidentes Delcy Rodríguez, e cila po ushtron detyrën e presidentes së përkohshme. Vetë Trump deklaroi hapur se SHBA-të janë “në krye” të Venezuelës, një deklaratë që ka ngritur shqetësime për imperializëm modern dhe shkelje të sovranitetit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, qëllimi është të detyrohen autoritetet e mbetura në Karakas të përmbushin kërkesat amerikane: ndalimin e trafikut të drogës, largimin e ndikimit iranian, rus dhe kuban, si dhe vënien e industrisë së naftës në shërbim të interesave të SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka hedhur poshtë krahasimet me Irakun, duke theksuar se Uashingtoni nuk synon ndërtim kombi, por marrëveshje konkrete dhe stabilitet. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se kërcënimet ushtarake dhe presioni ekonomik mund të sjellin destabilizim dhe konflikt civil.
Një tjetër zhvillim i papritur është largimi i SHBA-ve nga mbështetja e drejtpërdrejtë për opozitën demokratike venezueliane. Trump minimizoi rolin e María Corina Machado dhe të presidentit të zgjedhur nga opozita, Edmundo González, duke sinjalizuar një qasje më pragmatike dhe më pak ideale ndaj demokracisë.
Demokratët në Kongres kanë reaguar ashpër, duke akuzuar presidentin se ka vepruar pa autorizim dhe se po sakrifikon parimet demokratike për interesa strategjike dhe naftën venezueliane.
Sipas CNN, basti i Trump në Venezuelë mbetet i rrezikshëm: nëse Delcy Rodríguez nuk bashkëpunon, SHBA-të përballen me zgjedhjen mes përshkallëzimit ushtarak ose një dështimi tjetër të politikës së jashtme. Një gjë është e qartë – Venezuela është kthyer në qendër të një loje të madhe pushteti në hemisferën perëndimore./mxh
