Nëna e njërit prej djemve të Elon Musk ka denoncuar publikisht përdorimin abuziv të inteligjencës artificiale “Grok”, duke thënë se është ndjerë “e tmerruar dhe e dhunuar”, pasi mbështetës të miliarderit kanë krijuar imazhe të rreme dhe të seksualizuara të saj, duke manipuluar fotografi reale.
Ashley St Clair, shkrimtare dhe stratege politike, e cila u nda nga Musk pas lindjes së fëmijës së tyre në vitin 2024, i tha gazetës The Guardian se mjeti i AI-së po përdoret si një formë hakmarrjeje dhe ngacmimi online. Sipas saj, janë manipuluar edhe fotografi të saj nga koha kur ishte e mitur.
Rasti ka rihapur debatin ndërkombëtar për rreziqet e inteligjencës artificiale, pasi Grok është akuzuar edhe më parë se është përdorur për të krijuar imazhe të papërshtatshme të grave dhe fëmijëve. Ligjvënës dhe rregullatorë në disa vende kanë kërkuar masa më të forta ndaj këtyre praktikave.
St Clair thotë se ka raportuar vazhdimisht përmbajtjen në platformën X, por reagimi ka qenë i ngadaltë dhe disa imazhe kanë qëndruar online për orë të tëra, derisa u hoqën vetëm pas ndërhyrjes së mediave. Ajo thekson se abuzimi u shtua pasi foli publikisht për rastin.
Sipas saj, ky fenomen synon të frikësojë dhe heshtë gratë në hapësirën digjitale, duke e quajtur çështjen një problem të të drejtave civile. Ajo po shqyrton mundësinë e ndjekjes ligjore, ndërsa në SHBA dhe Britani po përgatiten ose zbatohen ligje që ndalojnë “zhveshjen digjitale” pa pëlqim.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i platformës X deklaroi se kompania vepron kundër çdo përmbajtjeje të paligjshme, veçanërisht asaj që lidhet me abuzimin e fëmijëve, dhe se llogaritë që shkelin ligjin do të ndëshkohen./mxh
