Europa Perëndimore po përgatitet për më shumë borë dhe akull këtë të mërkurë, ndërsa stuhia e parë e vitit ka mbërritur në bregun Atlantik të kontinentit.
Si pasojë e stuhisë së quajtur Goretti, janë anuluar fluturime, janë ndërprerë shërbimet hekurudhore dhe janë mbyllur disa akse rrugore, duke shkaktuar vështirësi të mëdha në lëvizje.

Reshjet e dendura të dëborës kanë goditur rajonin e Parisit që në orët e para të mëngjesit, ndërsa pjesa jugore e Britanisë së Madhe pritet të përballet me kushte edhe më të rënda moti ditën e enjte dhe të premte.

Shërbimi meteorologjik francez, Meteo France, ka paralajmëruar se reshjet e dëborës do të shtrihen gjatë ditës së sotme në pjesën veriore të Francës. Sipas autoriteteve, reshjet më të dendura se zakonisht kanë shkaktuar kaos në transport dhe vonesa të shumta.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme./K.M
