Avokati i njohur Genc Gjokutaj ka fshirë postimin publik për ndarjen nga jeta të kolegut dhe mikut të tij, Saimir Vishaj, në të cilin kërkonte zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij.
Në reagimin e publikuar fillimisht, Gjokutaj shprehte rezerva ndaj njoftimit se Vishaj dyshohej të ishte rrëzuar nga shkallët, duke kërkuar një hetim të thellë, të gjithanshëm dhe objektiv. Sipas tij, opinioni publik nuk mund të mjaftohet vetëm me një njoftim të tillë për një ngjarje me përfundim tragjik.
“Saimiri i ndjerë nuk mund të prehet i qetë pa iu hetuar halli dhe fatkeqësia që e largoi nga kjo Botë!”, shkruante Gjokutaj në postimin e tij, të cilin më pas e ka fshirë.
Avokati e cilësonte Vishajn si një profesionist të aftë, komunikues, prind shembullor dhe ambicioz, ndërsa theksonte se rrethanat e ngjarjes kërkonin një verifikim të plotë.
“Kolegu Vishaj pati një fund tragjik që askush nuk do ta meritonte! I aftë profesionalisht, komunikues, prind shembullor dhe ambicioz! Por poliedrizmi i tij në çdo fushë dhe njoftimi zyrtar se dyshohet të jetë rrëzuar kërkon një hetim të thellë, të gjithanshëm dhe objektiv!
Paskëtaj vijnë ngushëllimet! Saimiri i ndjerë nuk mund të prehet i qetë pa ju hetuar halli dhe fatkeqësia që e largoi nga kjo Botë! U prehsh në Paqe Saimir”, shkruante avokati i njohur Genc Gjokutaj.
Saimir Vishaj ndërroi jetë pak ditë më parë, pasi qëndroi për rreth tri netë i intubuar në Spitalin e Traumës. Sipas raportimeve fillestare, ai dyshohet se ishte rrëzuar nga shkallët në banesën e tij dhe kishte përfunduar në koma.

