Në 6 janar 2026, në festën e Epifanisë, një derë mbyllet ngadalë në Vatikan. Nuk është një derë e zakonshme, por Porta e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit – simbol i një kohe që mbaron dhe i një pritjeje që nis. Me këtë gjest solemn, Papa Leo XIV përmbyll zyrtarisht Jubileun e vitit 2025, një vit pelegrinazhi, lutjeje dhe shprese për miliona besimtarë.
Portat e Shenjta nuk mbyllen thjesht: ato vulosen, madje tradicionalisht edhe murosen, për t’u hapur sërish vetëm kur koha e shenjtë të kthehet. Është një ritual që i jep kalendarit një frymëmarrje tjetër, ku vitet nuk numërohen vetëm me data, por me domethënie.
Jubileu i vitit 2025 mbante emrin “Pelegrinët e Shpresës”. Ai nisi natën e Krishtlindjes së vitit 2024, kur Papa Françesku hapi Portën e Shenjtë, pa e ditur se pak muaj më vonë historia do ta ndalte hapin e tij. Roma, si në kohët mesjetare, u mbush me gjuhë, rrugë, hapa dhe lutje – një qytet që ecën, ndërsa pret.
Ideja e Jubileut është më e vjetër se vetë krishterimi. Ajo vjen nga tradita hebraike e vitit të çlirimit, kur borxhet faleshin dhe toka kthehej te i zoti. Fjala “yobel”, briri që shpallte fillimin e atij viti, është ende e fshehur në tingullin e fjalës “jubile”. Në Kishën Katolike, ky rit u pagëzua për herë të parë në vitin 1300, nga Papa Bonifaci VIII, dhe me kohë u kthye në një takim me ritëm të rregullt: çdo 25 vjet.
Këto janë vitet kur hapen katër porta në Romë dhe, bashkë me to, hapet ideja se falja, pajtimi dhe fillimi nga e para janë të mundshme. Kur Viti i Shenjtë mbaron, portat mbyllen – por pyetja mbetet.
Kur do të hapen sërish?
Matematika thotë 2050. Por historia fetare nuk ndjek gjithmonë aritmetikën. Ekziston edhe viti 2033, që shënon 2,000 vjet nga vdekja e Jezu Krishtit. Një datë që tundon simbolikën dhe që mund të sjellë një Jubile të jashtëzakonshëm, nëse një Papë vendos ta shpallë.
Deri atëherë, Porta e Shenjtë mbetet e mbyllur. Jo si një fund, por si një kujtesë se, në këtë traditë mijëravjeçare, koha nuk mbyllet kurrë plotësisht – ajo vetëm pret të hapet sërish.
Burimi: focus.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
