Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pa garanci të forta sigurie, të detyrueshme ligjërisht dhe të mbështetura nga aleatët perëndimorë, e ardhmja e sigurisë së vendit të tij mbetet e pasigurt.
Në një deklaratë të dhënë pas takimeve diplomatike në Paris, Zelensky theksoi se garancitë e sigurisë duhet të mbështeten nga parlamentet përkatëse dhe veçanërisht nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se, edhe nëse këto garanci sigurohen, Ukraina duhet të mbështetet kryesisht në forcën e saj.
Presidenti ukrainas u ndal edhe te përpjekjet diplomatike, duke vlerësuar rolin e Shteteve të Bashkuara, por duke theksuar se procesi ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, Uashingtoni ka mjetet dhe ndikimin e nevojshëm për të ushtruar presion ndaj Rusisë.
Zelensky theksoi se çelësi i suksesit qëndron te prioriteti që Ukraina zë në agjendën amerikane. Ai nënvizoi se vetëm përmes një presioni të vazhdueshëm dhe të koordinuar ndaj Moskës mund të arrihen rezultate konkrete.
Gjatë qëndrimit në Paris, Zelensky u takua edhe me Presidentin francez Emmanuel Macron, takim që u pa si pjesë e përpjekjeve për të forcuar mbështetjen evropiane për Kievin.
Ndërkohë, presidenti ukrainas konfirmoi se pritet të zhvillojë së shpejti një takim me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Ai tha se takimi mund të mbahet në Uashington ose në një tjetër vend, në varësi të axhendës, dhe se aty shpreson të marrë përgjigje të drejtpërdrejta lidhur me mbështetjen amerikane për Ukrainën./mxh
