Last Updated on 08/01/2026 by Monika
Të gjitha familjet e rrezikuara nga vërshimi i ujërave në fshatin Ferras janë evakuuar, pasi ujërat e lumit Vjosë kanë kaluar argjinaturën mbrojtëse. Kështu është shprehur në një prononcim për mediat zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet në Ferras për të monitoruar nga afër situatën.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ka theksuar se prurjet e orëve të fundit kanë qenë të tilla që kanë tejkaluar majën e argjinaturës, por sipas tij struktura mbetet ende e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku Subashi ka bërë të ditur se, sipas matjeve të kryera në fshatin Kashisht, brenda një ore niveli i ujit ka rënë me 15 centimetra. Ky përmirësim pritet të reflektohet edhe në zonën e Ferrasit pas dy ose tre orësh.
Autoritetet vijojnë të jenë në terren, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm./mxh
