Filmat e tij brutalë e vendosën kinemanë koreane në hartën botërore. Tani, regjisori i Oldboy rikthehet me një satirë therëse për një burrë që shtyhet drejt vrasjes pasi humbet vendin e punës.
Stiv Rouz
Vala koreane po festohet sot në mbarë botën, por Park Çan-uk nuk ndihet aspak festiv. Nga jashtë, Koreja e Jugut duket si një makineri e mirëvajosur që prodhon pa pushim muzikë pop triumfuese, kuzhinë, makina, kinema (sidomos Parasite, fitues i Oskarit) dhe seriale televizive, bashkë me ekranet Samsung ku shihen ato. Por filmi i tij më i fundit, No Other Choice, e shpon këtë tullumbace. Ai e paraqet Korenë e sotme si një terren të paqëndrueshëm të rënies industriale, shkurtimeve, papunësisë dhe brishtësisë mashkullore – pa asnjë KPop Demon Hunters që të vijë ta shpëtojë situatën.
“Nuk kisha për qëllim ta bëja një portret realist të Koresë së vitit 2025,” thotë Parku, një 62-vjeçar i qetë, pothuajse profesor. “Mendoj se është më e saktë të shihet si një satirë mbi kapitalizmin.”
AI është aq e fuqishme sa nuk mund të konkurrosh më me të
Mjedisi i No Other Choice është bota komikisht banale, por pothuajse fytprerëse e prodhimit të letrës, ku një drejtues i sapo pushuar nga puna harton një plan të çmendur për të ecur përpara duke vrarë rivalët e tij për një pozicion të ri – gjë që e bën mjaft keq. Por, siç sugjeron Parku, mund të ishte po aq mirë edhe për industrinë e argëtimit, e cila është shumë më e pasigurt nga sa duket: “Edhe pse filmat dhe serialet koreane janë super-trendy globalisht, publiku korean nuk është kthyer në kinema pas pandemisë, dhe flitet gjithashtu për kërcënimin ndaj industrisë televizive. Dhe kjo rënie ndodhi menjëherë pas suksesit të Squid Game dhe Parasite. Mendoj se ky kontrast është në vetvete shumë ironik.”
Ironia është mënyra bazë e kinemasë së Parkut. No Other Choice nis me rrogëtarin Man-su (luajtur nga Li Bjëng-hun) që përgëzon veten se i ka të gjitha: punë të mirë, shtëpi të bukur, grua të dashur, dy fëmijë dhe dy qen. Ai e mirëpret ardhjen e vjeshtës, pa e kuptuar se ajo paralajmëron rënien e tij: brenda pak ditësh, ai gjendet në gjunjë duke lypur punë, pasi është pushuar nga shefat e rinj amerikanë – gjë që e çon drejt planit të tij të çmendur për vrasje. Tingëllon e zymtë, por filmi është i mbushur me humor të zi, slapstick therës dhe dhunë të ngathët, përfshirë një plan qesharak për të eliminuar një rival duke u dehur deri në shkatërrim me të – përmes teknikës tipikisht koreane të poktanju: një gotë uiski e zhytur në një gotë birre. Parku pranon se në të kaluarën nuk ishte i panjohur me këtë koktejl, “por tani nuk e pi më. E kuptova që nuk duhet t’ia bëja këtë vetes.”
Edhe titulli No Other Choice është ironik: Man-su qartazi ka zgjedhje të tjera. Ai mund t’u kthehej punëdhënësve, jo kolegëve. Ose mund ta pranonte thjesht varfërimin – por ai do të bëjë gjithçka për të mos humbur shtëpinë dhe statusin, sidomos brenda familjes. “Publiku dëshiron me ngulm ta mbështesë dhe ta shohë të gjejë punë, por në momente të tjera kupton se zgjedhjet e tij janë të gabuara,” thotë Parku. “Këto dy ndjenja bashkëjetojnë dhe publiku kalon nga njëra te tjetra. Ky ishte qëllimi i filmit.”
Ironia më e madhe është se vetë Parku është pothuajse poster-boy i fuqisë kulturore koreane. Prej 20 vitesh ai ndodhet në kulmin e valës koreane dhe, bashkë me bashkatdhetarin e tij Bong Xhun-ho, regjisorin e Parasite, ka thyer barriera për kinemanë e vendit. Ashtu si Bongu, filmat e Parkut kanë bashkuar vlerësimin festiv me suksesin komercial, veçanërisht me Oldboy, i cili fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Kanë më 2004 dhe i prezantoi botës një markë të re kinemaje: të gjallë, të përgjakshme, të shtrembëruar, por teknikisht brilante – e mishëruar nga skena ikonike e korridorit me çekan dhe ajo ku protagonisti ha një oktapod të gjallë. Në Mbretërinë e Bashkuar, filmat e Parkut u tregtuan nën etiketën DVD “Asia Extreme”, krahas veprave të Kim Xhi-uun, Kim Ki-duk dhe disa regjisorëve japonezë.
Sot, Parku ndihet i parehatshëm kur kthehet pas: “Ndihesha sikur po futesha në një kuti për shkak të atij brendi. Krijoi një formë të panevojshme paragjykimi.” Ai lehtësohet që etiketa nuk vlen më, pjesërisht sepse estetika e tij “ekstreme” është përthithur nga kinemaja mainstream, por edhe sepse Parku kaloi me lehtësi drejt Hollivudit dhe projekteve anglishtfolëse pak më pak të dhunshme. Mes tyre janë miniseriali i vitit 2018 The Little Drummer Girl, sipas Xhon le Karé-së, me Florens Pju dhe Aleksandër Skarsgord, si dhe The Sympathizer (2024), i nënvlerësuar, për spiunë vietkongë në Amerikën e viteve ’70, ku Robert Dauni Xhunior luan disa role.
“Nuk është se bëj zgjedhje të qëllimshme për ta zbutur dhunën time për të shmangur një reputacion të tillë,” thotë ai. “Nuk e di çfarë filmash do të bëj në të ardhmen, por ata mund të jenë po aq grafikë sa të mëparshmit.”
Regjia në anglisht nuk ishte aq e lehtë sa dukej, shton ai, sidomos në filmin e tij të parë hollivudian, Stoker (2013), një thriller në stilin e Hiçkokut me Nikoll Kidman dhe Methju Gud. “Në fillim kisha frikë, sidomos sa i përket komunikimit përmes përkthyesit,” thotë ai. Aktorët e ndihmuan shumë. “Në fakt nuk ishte aq ndryshe, ndoshta sepse Nikolla u përpoq maksimalisht të përshtatej me mua.” Kidman parapëlqen përgatitjen individuale, shpjegon ai, ndërsa Parku preferon të ulet me gjithë kastin dhe ta punojë skenarin rresht për rresht. “I sugjerova: pse të mos e provojmë? Dhe në fund, ajo tha se ishte shumë e dobishme.”
Ai nuk është rrjedhshëm në anglisht dhe sot flet përmes një përkthyesi, por “anglishtja ime është mjaftueshëm e mirë sa, nëse ndiej se diçka nuk po përkthehet saktë, mund ta vë në dukje,” thotë ai. “Një tjetër problem mund të jetë keqkuptimi nga dallimet gjuhësore ose kulturore, por unë jam përpjekur ta përdor këtë në avantazhin tim, sepse mund të ofroj një perspektivë mbi shoqëritë britanike ose amerikane që njerëzit brenda tyre ndonjëherë nuk e shohin.”
Sot, ashtu si Bongu, ai alternon projekte: disa në anglisht, disa në koreanishte, të tjerë hibride. Trilleri i tij lezbian The Handmaiden e zhvendosi romanin Fingersmith të Sara Uotersit nga Anglia viktoriane në Korenë e fillimit të shekullit XX. Në mënyrë të ngjashme, No Other Choice është përshtatur nga romani The Ax i shkrimtarit amerikan të krimit Donald Westlake, por i vendosur në Ulsan, një qytet bregdetar në juglindje të Koresë. Parku shpjegon se është përpjekur ta adaptojë historinë që kur e lexoi për herë të parë rreth vitit 2005 – afërsisht në të njëjtën kohë kur doli edhe një version francez i saj. “Fillimisht ishte menduar si një film amerikan në anglisht, por kaluan shumë vite të kota dhe përfundimisht u shndërrua në një film korean.”
Vonesa i dha të paktën mundësinë të punonte me Li Bjëng-hunin, i cili bashkëpunoi për herë të parë me Parkun në hitin Joint Security Area (2001) dhe së fundmi ka luajtur në Squid Game dhe ka dhënë zërin e demonit kryesor në KPop Demon Hunters. Parku e përshkruan si “Xhek Lemoni i Koresë” – i pashëm, por ekspresiv dhe i gjithanshëm, një njeri i zakonshëm me të cilin identifikohesh. “Më parë do të kishte qenë shumë i ri për rolin, por me kalimin e kohës arriti moshën e duhur.”
Pavarësisht moshës së historisë, temat e pasigurisë ekonomike dhe mashkullore – dhe fakti që viktimat e kapitalizmit neoliberal kthehen kundër njëri-tjetrit në vend që të përballen me fajtorët e vërtetë – mbeten aktuale, veçanërisht në Kore. Por Parku i ka dhënë një përditësim tipik të shekullit XXI: hija e inteligjencës artificiale shfaqet fuqishëm në këtë peizazh industrial, duke shtuar një tjetër shtresë ironie. “Ndërsa romani origjinal paraqiste konkurrencë mes njerëzve, unë shtova AI-n, e cila është aq e fuqishme sa nuk mund të konkurrosh më me të,” thotë ai.
Këto ankthë nuk kufizohen te prodhimi i letrës – edhe pse mund të shihet si metaforë e epokës analoge që po vdes. Parku e di mirë se AI po i afrohet edhe profesionit të tij. “Tani nuk duket aq kërcënuese, por duke parë shpejtësinë e zhvillimit gjatë vitit të fundit, jam shumë i shqetësuar se sa njerëz në industrinë tonë të filmit do të zëvendësohen nga AI.” Ai shqetësohet për kolegët, thotë, “por edhe për një situatë ku nuk do të kem zgjidhje tjetër veçse ta përqafoj AI-n – për shembull, nëse studiot vendosin të shkurtojnë buxhetet duke përdorur AI.”
Sidoqoftë, ai vështirë se do të fillojë të eliminojë rivalët si në No Other Choice. Sidomos jo Bong Xhun-ho-n: të dy janë miq të vjetër. Parku, në fakt, i dha Bongut punën e tij të parë. “E ftova të punonte në një skenar për mua dhe patëm diskutime, por nuk u realizua kurrë.” Ata kanë përdorur të njëjtët aktorë, përfshirë Son Kang-ho-n e Parasite, dhe Parku bashkëprodhoi filmin fantastiko-shkencor të Bongut Snowpiercer (2013). “Edhe gratë tona janë shumë të afërta, takohemi shpesh. Edhe familja e Son Kang-ho-s është shumë e afërt me familjet tona. Kështu që shpesh rrihemi bashkë,” thotë ai. “Kur shkrova draftin e parë të No Other Choice, ia dhashë [Bongut] skenarin dhe i kërkova mendim.”
Ndoshta kjo është pjesë e arsyes pse kultura koreane e ekranit ka pasur kaq shumë sukses kohët e fundit. Jo vetëm që nuk janë duke u mbytur në rivalitet, por veprat e tyre shpesh e shohin suksesin ekonomik dhe modelin kapitalist me skepticizëm, në mos me pesimizëm të hapur. Nuk duket se ka një ekuivalent korean të Ëndrrës Amerikane. Mund të thuhet se No Other Choice përballet drejtpërdrejt me të njëjtat ironi dhe pabarazi si Parasite i Bongut, ose komedia e tij e fundit fantastiko-shkencore Mickey 17 – ku një Robert Patinson i klonuar luan punëtorin përfundimtar të flijueshëm. Apo edhe Squid Game e Hwang Dong-hyuk, me lojën e saj jetë-a-vdekje, ku fituesi merr gjithçka, e frymëzuar nga përvojat personale të Hwangut me vështirësitë ekonomike pas krizës financiare të vitit 2008. Ndoshta kinemaja koreane po ofron perspektiva që ne perëndimorët nuk po i shohim.
Jo se Parku ka ndonjë axhendë të deklaruar, filozofike, tematike apo gjeografike. Për ta dëshmuar këtë, ai thotë se dy projektet e tij të ardhshme janë të dyja të mbështetura nga SHBA: njëri është fantastiko-shkencor (i përshtatur nga manga japoneze Genocidal Organ), tjetri një uestern (Brigands of Rattlecreek – tingëllon shumë i dhunshëm).
“Nëse do të merrja një propozim për një histori të mirë që zhvillohet në Francë ose në një vend të Afrikës, do të shkoja atje,” thotë ai. “Unë thjesht ndjek historitë e mira.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
